
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas takimit me emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Zyra e Kryeministrit njofton se në fillim të këtij takimi, Kurti deklaroi se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.
Po ashtu ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk kontribuon në eskalimin e situatës në Veri dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike.
Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve.
Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.
Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet.
Lini një Përgjigje