
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mbërritur ditën e sotme në Kosovë, ku do të mbajë disa takime në përpjekje për të shtensionuar situatën në Veri.
Rreth orës 15:00, Lajçak nisi turin e takimeve me presidenten Vjosa Osmani. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për de-përshkallëzimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për de-përshkallëzim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Ndërkohë pas përfundimit të takimit me Vjosa Osmanin, Mirosllav Lajçak ka nisur tanimë takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Qëllimi kryesor i këtij takimi është për të bindur Kurtin që të bëjë një hap pas në qëndrimet e tij.
Kujtojmë se Lajçak pas takimeve në Kosovë, pritet të vizitojë edhe Serbinë, për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Lini një Përgjigje