TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Qershor 2023, 18:29

Kurti raporton në Kuvend dhe “godet” KFOR-in: Të marrë përgjegjësitë që i takojnë, boll me heshtje

Shkruar nga Pamfleti

Kurti raporton në Kuvend dhe “godet” KFOR-in: Të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka goditur ashpër KFOR-in për heshtjen sa i takon rrëmbimit të 3 policëve në veri.

Edhe pse sot pritej një qëndrim sqarues për situatën, KFOR vendosi të shmangë dhënien e një konkluzioni duke deklaruar se po mbledhin ende informacione. Por për Kurtin kjo është e papranueshme sepse forcat e KFORI-t janë përgjegjëse për garantimin e paprekshmërisë territoriale.

Duke raportuar në Kuvend mbi atë që ndodhi në Veri, Kurti ka kërkuar nga KFOR që t’i japë fund heshtjes dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Ai tha se KFOR-i duhej të mbronte Kosovën në pjesën veriore, në momentin kur forcat serbe rrëmbyen tre policë të Kosovës brenda territorit të saj. Ai shtoi se nëse KFOR nuk e përmbush dot përgjegjësin e saj ndërkombëtare, të mos heshtë por ta thotë publikisht.

Po presim nga KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë personat e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë edhe të pikës së katërt të Marrëveshjes së Kumanovës. KFOR-i s’duhet të jetë i heshtur as i përulur. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, një gjë të tillë të na thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur ta përmbushte efektivisht”, tha Kurti.

Më tej kreu i qeverisë së Kosovës tha se ajo që ndodhi të mërkurën në veri ishte hakmarrje e Serbisë ndaj arrestimeve të bëra nga policia e Kosovës. Sipas tij ky veprim tregoi se Serbia nuk po orientohet nga SHBA dhe BE por nga despotët e verilindjes.

Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë ,e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit , është jo vetëm mendësi barbare, por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, ka despotët e verilindjes, e jo kah BE-ja e SHBA-ja. Hakmarrja në formën më çnjerëzore e qyqare të denoncohet hapur e të kundërshtohet me forcën e ligjit. Qeveria do të bëjë gjithçka t’i lirojë nga kidnapimi policët”, tha ai.

Kurti tha më tej se edhe pse kanë kaluar 30 orë që nga rrëmbimi i policëve, ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga KFOR-i, teksa shtoi se serbët lanë gjurmë me qëllim në vendin e rrëmbimit, për të treguar se ata ishin brenda territorit të Kosovës.

Tash kur bëhen 30 orë të kidnapimi e ende s’e kemi deklaratën zyrtare të KFOR-it. Kam shprehur edhe protestën time për heshtje, edhe kërkesën për reagim urgjent...Në vend të ngjarjes janë gjetur gjurmët e këpucëve që shkojnë drejt territorit të Serbisë, të veturave e të prangave plastike të kidnapimit. Bëhet fjalë për një agresion me arrogancë, nuk janë përpjekur t’i fshehin gjurmët, synimi ka qenë të bëhet e ditur se ata kanë qenë aty”, përfundoi ai.

kurti kfor kosova policët

Lini një Përgjigje