TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Prill 2026, 20:35

Kurth apo hapje dere për Osmanin? Tërhiqet Hatixhe Hoxha, Kurti thirrje LDK-së të depozitojë 15 firmat

Shkruar nga Pamfleti
Kurth apo hapje dere për Osmanin? Tërhiqet Hatixhe Hoxha, Kurti
Albin Kurti

Kurti bën ofertën e fundit para skadimit të afatit...

Kryeministri Albin Kurti ka dalë me një propozim të ri për Lidhjen Demokratike të Kosovës sa i takon zgjedhjes së presidentit të ri.

LDK më herët njoftoi se kishte mbledhur 15 firma për të prezantuar Vjosa Osmanin si kandidate të saj, mirëpo Kurti duket se e refuzoi, pasi sipas tij duhen 30 firma dhe LDK kishte një “gjysmë kandidati”.

Mirëpo, pas dështimit të seancës në orën 19.00, Kurti doli në konferencë shtypi dhe bëri një propozim të ri. Ai u shpreh se kandidatja Hatixhe Hoxha është gati të tërhiqet dhe VV do të plotësojë propozimin e LDK-së në mënyrë që të sigurohen 30 firma.

Kam komunikuar me kandidaten Hatixhe Hoxha, ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK sjell 15 nënshkrime në Kuvend dhe LVV sjell 15 nënshkrime, dhe me këtë do të kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një tjetër nga propozimi”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje LDK-së që të sjellë 15 nënshkrime me emrin e kandidatit për president, duke theksuar se në këtë mënyrë, sipas tij, procesi do të vazhdonte pa u shkuar në zgjedhje të reja.

Pres që LDK t’i sjellë 15 nënshkrime me emrin e kandidatit për president. Në këtë mënyrë i futemi garës sonte që të mos shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Kurti.

LDK më herët propozoi Osmanin dhe kur Kurti u pyet nga gazetarët nëse do ta pranojë emrin e saj, u shpreh se e pranon. Mirëpo deklaratat e tij kanë një “kleçkë”. Sipas Kurtit, kandidati i LDK-së do të jetë përballë Feride Rushitit. Kurti tha se vota më pas është e fshehtë dhe nuk jep garanci se kush votohet.

Ata (LDK) vetëm le të sjellin 15 apo 14 nënshkrime. Ne ua plotësojmë atë që iu nevojitet. Por unë nuk jam ai person që mund të shohë çfarë ka edhe brenda kutive. Unë nuk e kam ditur mbrëmë sa vota do të ketë Feride Rushiti. Një votë ishte e pavlefshme dhe 63 pro. Unë nuk mund ta di se si votojnë deputetët", tha ai. 

Pra duket si një lloj kurthi, vetëm që të sigurohet kuorumi në sallë. Ligji i Kosovës parashikon që duhen së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, vota që VV i ka.

kurti vv

Lini një Përgjigje