
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se Kosova do të heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.
“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, tha Kurti.
Ai u shpreh se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi tarifat e reja doganore ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.
Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë u tha se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.
Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë doganore reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.
Me vendimin e ri për tarifat, që do të zbatohet prej 7 gushtit, vendet tjera të Ballkanit janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.
Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.
Trump, fillimisht, i bëri publike tarifat doganore në prill, por më pas i pezulloi për 90 ditë, që të mundësojë zhvillimin e negociatave me palët e interesuara.
Lini një Përgjigje