
Gjykata e Apelit ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.
Avokati Besnik Berisha, mbrojtësi i një nga të dyshuarve për këtë rast tha se ky vendim nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, por ishte një betejë për të drejtën.
“Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, ishte një betejë për arsyen, për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni ta zëvendësojë ligjin”, shkroi ai në Facebook.
Ndaj 5 oficerëve të policisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, më 9 korrik caktoi masën e paraburgimit prej një muaji. Por, më 17 korrik, Apeli anuloi aktvendimin e Themelores.
Rasti u dërgua në rivendosje dhe më 23 korrik, Themelorja sërish vendosi që pesë zyrtarët policorë të mbeteshin në paraburgim. Për këtë vendim, palët mbrojtëse dërguan ankesë në Apel.
Agon Zejnullahu, 27 vjeç, vdiq në orët e para të 7 korrikut, pasi ishte arrestuar nga policia në Lipjan
Vdekjen e tij në vendngjarje e kishte konstatuar edhe ekipi mjekësor. Policia njoftoi se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Por, familjarët dhe avokati i tyre, u shprehën se policia ka përdorur forcë të tepruar ndaj 27-vjeçarit.
Njësoj u shprehën edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, pasi kanë parë disa pamje që kanë qarkulluar në internet.
Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi dha dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut.
Lini një Përgjigje