
“Marrëzi, mashtrim e popullit, asgjë më shumë”. Me këto fjalë Sasha nga Mitrovica e Veriut i ka komentuar për Radion Evropa e Lirë pamfletet me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me mbishkrimin: “Komandant Suprem, ju presim”.
Vuçiç, si president i Serbisë, konsiderohet komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë. Është në kompetencën e presidentit të komandojë ushtrinë, por edhe të emërojë, avancojë dhe shkarkojë oficerët e Forcave të Armatosura Serbe.
Përveç në Mitrovicën e Veriut, këto pamflete u shfaqën gjatë fundjavës edhe në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Edhe pse Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast për “nxitje të urrejtjes”, Policia e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush qëndron prapa atij akti dhe se hetimet janë duke vazhduar porse nuk mund të japë më shumë detaje.
“Më lejoni t’ju them, le të ketë paqe. Nuk kam koment për postera të ngjitur”, thotë Vladani, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut.
Nga ana tjetër, për Branislavin, ngjitja e re e pamfleteve po e “shkatërron qytetin”.
Igori beson se pamfletet e reja me imazhin e presidentit të Serbisë mund të shihen në dy mënyra: si mesazh sarkastik për situatën aktuale ose si ‘thirrje për revolucion’.
“Sikur diçka vendimtare do të ndodhë tani… Nuk kam ndonjë mendim personal, më besoni”, thotë ai.
Sërxhan Simonoviç nga organizata joqeveritare “Humani Centar Mitrovica”, e cila merret me çështjet e sigurisë, nuk e përjashton mundësinë që pamfleti të jetë shprehje e satirës.
Në anën tjetër, Aleksandar Popov, kryetar i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm, thekson se imazhi i presidentit të Serbisë me mesazhin “Komandant, ju presim” është shfaqur në veri të Kosovës në kohën kur Serbia kërcënohet edhe një herë nga protesta masive mjedisore për shkak të minierave të litiumit.
Prandaj, ai beson se qëllimi i atyre pamfleteve është që të “fusin nën qilim” temat aktuale në Serbi, të cilat mund të jenë negative për pushtetin aktual, duke e vënë në plan të parë situatën e sigurisë në Kosovë.
Veriu i Kosovës është tronditur nga tensione të larta në dy vjetët e fundit për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për të vendosur pushtetin në atë rajon.
Ndërrimi i targave serbe me ato të Kosovës, vendosja e njësisë speciale të policisë, ardhja në pushtet e kryetarëve shqiptarë për shkak të bojkotit të zgjedhjeve nga komuniteti serb, heqja e dinarit serb – këto janë disa nga vendimet apo ngjarjet që hasën në rezistencën e banorëve në veri.
Situata arriti kulmin kur një grup i armatosur i serbëve të udhëhequr nga Millan Radoiçiçi, ish-nënkryetar i Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi, sulmoi policinë në qytetin e Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar dhe vrau një polic.
Mesazhe dhe thirrje të mëparshme për rezistencë
Kjo nuk është hera e parë që mesazhet me thirrje për kthim të Ushtrisë Serbe në Kosovë shihen në veri të Kosovës, apo atyre që bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës.
Në shkurt të këtij viti persona të panjohur lanë fletëpalosje ku bënin thirrje për rezistencë në ndërtesat në veri të Mitrovicës dhe vetëm dy ditë më parë në të katër komunat në veri të Kosovës u shfaqën mbishkrime si, “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, “Brigada e Veriut jeton”.
Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste organizatat Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile në fund të qershorit 2023 për shkak të besimit se pjesëtarët e tyre kanë marrë pjesë në sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës.
Brigada e Veriut filloi shkrimin e grafiteve me mesazhin “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim” dhe të ngjashme, nga nëntori i vitit 2022, kur pjesëtarët e komunitetit serb u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në veri me iniciativën e Listës Serbe.
Po ashtu, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë të vitit të kaluar, në Mitrovicën e Veriut ishin shfaqur grafite me ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Grafite identike janë shkruar më parë në qytete të shumta anembanë Serbisë dhe janë bërë nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.
Çfarë po bëjnë autoritetet kompetente të Kosovës?
Për pamfletin e fundit me imazhin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me mesazhin: “Komandant suprem, të presim” nuk e ka marrë përgjegjësinë askush.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për REL-in, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar, porse tash për tash nuk ka të dyshuar. Nuk dihet se kush ka lënë mesazhe më parë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë apo thirrje për rezistencë ndaj autoriteteve kosovare.
“Hetimi është duke vazhduar, nuk varet shumë nga ne, varet nga informacionet në terren. Deri më tani nuk kemi pasur sqarime për këto raste, por kemi për raste të tjera të kundërvajtjeve. Nuk është se nuk ndriçojmë asnjë rast”, nënvizon Elshani.
Në fund të prillit dhe në fillim të majit të këtij viti, Policia e Kosovës vendosi kamera vëzhguese në hapësirat publike në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Deri atëherë në veri kishte kamera, për të cilat policia nuk kishte njohuri dhe nuk dinte se kush i monitoronte./rel
Lini një Përgjigje