
Është zbuluar identiteti dhe publikuar fotoja e 39-vjeçarit që ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra nga sherri me armë të ndodhur në një lokal në Prishtinë.
I riu ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, pasi nuk mundi t’u mbijetonte dot plagëve të marra. Mësohet se 39-vjeçari është Kastriot Ramadani.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, në rrugën “Rexhep Luci” në Bonvivant, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 21 persona, 4 prej tyre me armë zjarri dhe 17 të tjerë nga thyerja e gotave dhe qelqeve.
Siç raportojnë mediat e Kosovës, dyshohet se gjithçka ka nisur pas një sherri verbal mes disa të rinjve.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla, raportoi që në orët e para se prej 17 të lënduarve 1 prej tyre është në gjendje kritike për jetën. Sipas tij, 7 persona janë plagosur me armë zjarri, ndërsa 10 të tjerë nga thyerja e xhamave etj.
“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacionit dhe është në rrezik për jetën. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar Syla.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, megjithatë ata nuk bënë me dije zyrtarisht se sa është numri i të lënduarve.
Lini një Përgjigje