
Mediat shtetërore ruse, si RT Balkan dhe Sputnik Serbia, nuk i japin përparësi ofrimit të informacionit, por përsëritjes së narrativës së Kremlinit...
Një proces zgjedhor i lirë dhe transparent, pa ndërhyrje apo manipulime të jashtme. Kjo është pritja e Bashkimit Evropian për zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën, më 12 tetor.
Këtë javë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pretenduan se Serbia po ndërhyn në zgjedhje duke ofruar vende pune ose ndihmë financiare për komunitetin serb. BE-ja nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar mbi këto akuza. Gjithashtu, nuk mori përgjigje për pyetjen nëse BE-ja është në dijeni të ndonjë ndikimi të jashtëm mbi votuesit përpara zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, një zëdhënës i BE-së i tha transmetuesit publik të Kosovës (RTK) se “të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirisht, pa ndërhyrje apo manipulime të jashtme”. Ai kujtoi se misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet parlamentare në shkurt kishte përcaktuar se kishte pasur ndikim të jashtëm.
Ky mision vëzhgimi zbuloi në raportin e tij se mediat shtetërore ruse, RT Balkan dhe Sputnik Serbia, të cilat mbështeten nga Kremlini, publikuan dhjetëra përmbajtje rreth zgjedhjeve në Kosovë gjatë fushatës, të cilat përmbanin “informacion manipulues” për komunitetin serb.
Jeta Loshaj, një studiuese në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë, i tha “REL”-it, se këto media ruse veprojnë si përcaktuese të rendit të ditës në momente të ndjeshme politike, siç janë zgjedhjet, duke i portretizuar ngjarjet përmes lentes së viktimizimit të komunitetit serb në Kosovë dhe armiqësisë së Perëndimit ndaj Serbisë dhe Rusisë.
“Një shembull i qartë u shfaq gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në shkurt 2025, kur ‘RT Balkan’ dhe ‘Sputnik’ publikuan artikuj që pretendonin se kishte pasur manipulim votash kundër serbëve të Kosovës, pretendime që u transmetuan më pas nga mediat serbe pro-qeveritare dhe kanalet Telegram aktive në veri të Kosovës”, thotë Loshaj, e cila hulumton ndikimin rus në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, ajo vëren se ndikimi rus në formësimin e diskursit dhe perceptimeve publike - veçanërisht midis serbëve të Kosovës, mbetet i rëndësishëm”.
-Çfarë lloj narrative përhapin mediat ruse gjatë fushatës?
Sipas një analize të “REL”-it, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, ‘RT Balkan’ dhe Sputnik Serbia përhapën pothuajse të njëjtën narrativë si gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt: Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, paraqitet si “mbrojtëse e interesave” të komunitetit serb.
Autoritetet e Kosovës, nga ana tjetër, portretizohen si ata që ushtrojnë vetëm presion ose “terror” mbi komunitetin serb për t’i detyruar ata të largohen. Partitë e tjera politike serbe pothuajse nuk marrin asnjë mbulim mediatik, ose përshkruhen si “tradhtarë” që bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.
Për shembull, një lajm në ‘RT Balkan’ më 8 tetor deklaroi se simbolet serbe në Mitrovicën e Veriut ishin “shënjestër e vandalëve”. Megjithatë, lajmi bazohej vetëm në fjalët e Millan Radojeviç, kandidatit të Listës Serbe, dhe nuk kishte asnjë verifikim nga policia apo ndonjë burim tjetër.
Sputnik Serbia dërgoi mesazhe të ngjashme. Në një artikull më 8 tetor, ajo transmetoi deklaratën e Listës Serbe se zgjedhjet e ardhshme janë më të rëndësishmet që nga viti 1999, sepse “çdo gjë serbe do të mbrohet”. Ky medium ndjek rregullisht tubimet parazgjedhore të Listës Serbe, ku përcillen mesazhe për nevojën e unitetit, ndërsa subjektet e tjera politike nuk përmenden fare.
Cila është shtrirja e këtyre mediave?
Loshaj thotë se mediat shtetërore ruse, si RT Balkan dhe Sputnik Serbia, nuk i japin përparësi ofrimit të informacionit, por “përsëritjes së narrativës së Kremlinit”.
“Shtrirja e tyre e drejtpërdrejtë është e kufizuar, por ndikimi i tyre indirekt mbetet i rëndësishëm, pasi ata i shtyjnë narrativat në sferën më të gjerë të informacionit në gjuhën serbe, të cilat më pas transmetohen nga tabloidët, portalet dhe rrjetet sociale rajonale”, thotë Loshaj.
Reporterët pa Kufij, në raportin e vitit të kaluar të titulluar “Nga Rusia në Serbi: Si e përhap RT propagandën e Kremlinit në Ballkan, pavarësisht sanksioneve të BE-së?”, deklaroi se përmbajtja e ‘RT Balkan’ citohet në mediat në Serbi, përfshirë shërbimin publik, Radio Televizionin e Serbisë.
Kosova ka vendosur sanksione ndaj RT dhe Sputnik, në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Prandaj, kanalet televizive të këtyre mediave nuk janë të disponueshme në operatorët kabllorë. Megjithatë, platformat e tyre online janë herë pas here të disponueshme, për shkak të natyrës dinamike të internetit.
Loshaj beson se ndikimi rus përmes fushatës së dezinformimit do të vazhdojë të rritet, megjithëse, siç thotë ajo, ndikimi i drejtpërdrejtë te audienca ka të ngjarë të mbetet i kufizuar, për shkak të masave rregullatore në Kosovë dhe fokusit të publikut në çështjet socio-ekonomike.
-Dezinformimi ndikon në marrëdhëniet ndëretnike
Loshaj shton se narrativat e dezinformimit mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike ose në sjelljen e votuesve në Kosovë, duke përforcuar ndjenjat ekzistuese të pakënaqësisë dhe mosbesimit midis komuniteteve.
Ajo thekson se një studim i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, theksoi se dezinformimi në Kosovë vepron përmes një “narrative pasqyruese”, duke informuar dy komunitete të ndryshme në një mënyrë krejtësisht të kundërt, të përshtatur sipas bindjeve dhe perceptimeve të tyre. Hulumtimi i qendrës tregoi gjithashtu se narrativat si ato në mediat ruse synojnë të minojnë besueshmërinë e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve perëndimorë, siç janë BE-ja dhe NATO-ja. Një gjë e tillë, sipas hulumtimit, mund të rrisë rrezikun e incidenteve të sigurisë.
Lini një Përgjigje