TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Maj 2026, 16:03

“Fëmijëve u thashë se më ra topi në kokë”, kreu i LVV në Skënderaj flet pasi u dhunua: Shpresoj të jem rasti i fundit!

Shkruar nga Pamfleti
“Fëmijëve u thashë se më ra topi në
Hysni Mehani

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, Hysni Mehani, ka reaguar publikisht pas incidentit të dhunshëm të ndodhur një ditë më parë, duke deklaruar se shqetësimi më i madh për të mbetet gjendja emocionale e familjes dhe fëmijëve të tij.

Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Mehani u shpreh se po përpiqet të qetësojë familjarët, ndërsa lëndimet fizike i konsideron të parëndësishme krahasuar me ndikimin psikologjik që ngjarja ka shkaktuar tek të afërmit.

“Familja ime është në panik. Po mundohem ta qetësoj familjen time. Lëndimet që kam marrë unë janë të parëndësishme para familjes. Mendjen e kam te fëmijët. I kam thënë që kam goditur kokën me top, por ata nuk e besojnë”, tha Mehani.

Ai foli edhe për klimën politike në Skënderaj, duke e cilësuar qytetin si një vend me traditë sakrifice dhe bujarie, ndërsa ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të komunës dhe anëtarit të PDK-së, Sami Lushtaku.

“Çfarë të presim nga një drejtësi ku nuk e kanë thirrur akoma z. Lushtakun?”, deklaroi ai.

Mehani shtoi se nuk pret reagim nga Partia Demokratike e Kosovës ndaj Lushtakut, duke thënë se nuk e intereson më se çfarë ndodh me të apo me PDK-në.

“PDK nuk ka fuqi që të marrë vendime për z. Lushtaku. Nuk më intereson se çfarë ndodh me PDK dhe z. Lushtakun. Ata janë e shkuara dhe shpresoj që rasti im të jetë i fundit. Brezat e rinj të mos e pranojnë”, u shpreh kreu i LVV-së në Skënderaj.

hysni mehani dhunim

1 Komente

  1. T
    Tony

    Keta qe perdorin te tilla metoda dhune, si duket i kane mesuar nga sebet e punojne per ta.

    Lini një Përgjigje