TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Prill 2023, 17:59

Escobar “shuplakë” Beogradit: SHBA do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Veri pavarësisht bojkotit serb

Shkruar nga Pamfleti

Escobar “shuplakë” Beogradit: SHBA do të njohë

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është shprehur se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës, pavarësisht nëse serbët do t’i bojkotojnë ato.

Ndonëse Aleksandër Vuçiç i cilëson zgjedhjet si jo legjitime, duket se për amerikanët ato janë të rregullta.

I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për "Tanjug". 

Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, tha Escobar.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Kjo pasi më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me këshilltarët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i detyronte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti. Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Data e re u caktua 23 prilli.

escobar shba serbia

Lini një Përgjigje