Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një video-mesazhi lidhur me nënshkrimet e dorëzuara për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Abdixhiku bëri të ditur se nënshkrimet janë verifikuar dhe se ka autorizuar sekretariatin e LDK-së të nisë procedurat për thirrjen e Kuvendit të partisë, organ që do të vendosë nëse ai do të vazhdojë ose jo të ushtrojë detyrën e kryetarit.
Në të njëjtën deklaratë, ai njoftoi se, si pasojë e zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, do të ndërpresë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.
Kjo situatë vjen në të njëjtën ditë kur në media qarkulloi informacioni se Vetëvendosje dhe LDK-ja kishin arritur një marrëveshje në parim për bashkëqeverisje. Sipas raportimeve, Vetëvendosje do të propozonte kandidatin për president, ndërsa LDK-ja do të merrte postin e kryetarit të Kuvendit dhe drejtimin e tre ministrive.
Megjithatë, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i ka mohuar këto raportime, duke deklaruar se “lajmi i publikuar nuk qëndron”.
Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë në ecurinë e proceseve politike dhe në diskutimet për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Lini një Përgjigje