TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Korrik 2026, 17:20

Tabaku: Bujqësia është në koma, qeveria po ndryshon ligjin për t'ua dhënë tokën klientëve të radhës

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku: Bujqësia është në koma, qeveria po ndryshon ligjin
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se, në vend që të mbështesë fermerët dhe prodhimin vendas, po ndryshon ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore për t'i hapur rrugë përdorimit të saj për parqe fotovoltaike dhe eolike, duke favorizuar, sipas saj, "klientët e radhës".

Sipas Tabakut, ndërsa bujqësia shqiptare ndodhet në krizë dhe fermerët po përballen me mungesën e fondeve, rënien e eksporteve dhe kostot në rritje, qeveria po përdor procesin e integrimit europian si justifikim për ndryshime që nuk kanë lidhje me kërkesat e Bashkimit Europian.

"Bujqësia është në koma, ndërkohë që qeveria po miraton një ligj që lejon përdorimin e tokës bujqësore edhe për ndërtimin e parqeve eolike dhe fotovoltaike. Edhe ajo pak tokë bujqësore që ka mbetur po vihet në dispozicion pa kritere, pa parime dhe pa rregulla të qarta. Integrimi po përdoret si justifikim për interesat e radhës, ndërkohë që nuk ka asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian për këto ndryshime", deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate ngriti dyshime se pas ndryshimeve ligjore mund të fshihen investime konkrete, duke kujtuar se raste të ngjashme janë zbuluar vetëm pasi vendimet janë marrë.

"A ka ndonjë kërkesë konkrete për parqe eolike apo fotovoltaike, për të cilën po ndryshohet ligji? Sepse kështu jemi mësuar. Ndoshta pas pak kohësh do ta mësojmë nga media", u shpreh ajo.

Tabaku solli në vëmendje edhe gjendjen e sektorit të bujqësisë, duke theksuar se pesha e tij në ekonomi ka rënë ndjeshëm, ndërsa fermerët po përballen me mungesën e fondeve të IPARD-it dhe me humbjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare për shkak të zhvlerësimit të euros.

"Bujqësia ka zbritur nga rreth 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 15% dhe po shkon drejt 14%. Fondet e IPARD-it mungojnë, ndërsa zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare më pak konkurruese dhe e ka lënë fermerin në kushtet e mbijetesës. Qeveria nuk merr masa për fermerët, nuk mbështet produktin shqiptar dhe nuk ul kostot për familjet. Ajo ndryshon ligjet sa herë që ndryshojnë interesat e klientëve të saj", tha Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së akuzoi mazhorancën se po e përdor Kuvendin për të miratuar ligje në funksion të interesave private.

"Nuk ka asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian për shitjen apo tjetërsimin e tokës bujqësore. Është vetëm kërkesa e klientit të radhës. Këtë sistem duhet ta ndryshojmë: Parlamentin e kthyer në noter të ligjeve të bizneseve", përfundoi Tabaku.

tabaku

Lini një Përgjigje