TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Korrik 2026, 13:52

Fotovoltaikët në tokat bujqësore, Braçe përplaset me ministrin Salla: Toka na duhet per bujqesi jo per industri

Shkruar nga Pamfleti
Fotovoltaikët në tokat bujqësore, Braçe
Andis Salla dhe Erion Braçe

Projektligji për ndryshimet në ligjin "Për mbrojtjen e tokës bujqësore" solli debat në Kuvend mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.

Braçe ngriti pikëpyetje për numrin e licencave të dhëna deri më tani për parqe eolike dhe agro-fotovoltaike në toka bujqësore, si edhe për përdorimin e tokave me bonitet të lartë.

Braçe: Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?

Në përgjigje, ministri Andis Salla tha se projektligji përbën një ndërhyrje të kufizuar, por të domosdoshme, për ta përshtatur kuadrin ligjor me zhvillimet e bujqësisë moderne. Ai theksoi se funksioni kryesor i tokës bujqësore mbetet prodhimi dhe se teknologjitë e reja do të përdoren për të rritur produktivitetin.

Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vendoset në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcakton që disa kritere të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregullat strikte."

Në replikën e tij, Braçe kërkoi që kufijtë për zhvillimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike të përcaktohen qartë në vetë ligjin dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, duke paralajmëruar se mungesa e kufizimeve të qarta mund të rrezikojë sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore.

Braçe: Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson ligji i ri që e kemi para. Nuk ka sanksionuar qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur që Këshilli i Ministrave vendos kufijtë e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit fotovoltaik dhe eolik. Kërkoj që në nenin 2, në pikën 6 të jenë të qarta dhe të përcaktuara kufijtë që ka vendosur vetë ligji për secilin park. Duhet një definicion më i qartë në ligj për këto kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjithë tokat bujqësore në të gjithë vendin dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Këto definicione që janë vënë në ligj nuk mbrojnë tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.

fotovoltaikate ne tokat bujqesore erion brace

Lini një Përgjigje