Debati për ligjin e tokës bujqësore në Kuvend u shoqërua me replika të forta mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri. Të dy shkëmbyen akuza për çështjet e pronësisë, investimet strategjike dhe qëndrimet politike.
Balla hodhi poshtë akuzat e Kaprit, duke e akuzuar për deklarata të pavërteta dhe sulme politike.
"Gënjeshtar me pagesë, do të mbahesh mend si mbajtës çante i një deputeti tjetër. Mbylle gojën. Erdhe, bëre një gabim dhe u kape me presh në dorë", deklaroi Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar të PS mbrojti paketën ligjore për tokën bujqësore, duke argumentuar se ndryshimet lidhen me procesin e integrimit europian.
"Nëse thua se ky ligj është bërë me porosi, i bie që paskam korruptuar edhe BE-në. Këto ligje janë pjesë e një pakete të rëndësishme për përafrimin me standardet europiane", u shpreh Balla.
Ai vijoi akuzat ndaj opozitës edhe për çështjet e pronësisë në Vlorë, duke përmendur edhe emrin e Agron Shehajt.
Në kundërpërgjigje, Erald Kapri akuzoi Ballën se po përdor familjarët për presion politik dhe tha se mazhoranca po shmang debatet për problemet reale të pronarëve.
"Kurrë nuk kemi përmendur familjarë. E bëri Taulant Balla, sepse më bën shantazh duke më përmendur mua familjen. Përdorni gjithçka për të frikësuar dikë për mendimin e tij", tha Kapri.
Deputeti i Partisë Mundësia e sfidoi më tej Ballën për çështjen e pronave në Vlorë, duke përmendur edhe investimin strategjik të aktorit turk Burak Özçivit.
"Nuk pate guxim të flisje për 'Osmanin' që mori tokë në Vlorë dhe për familjet që kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë. Përballë na ke dhe përballë do të na kesh. Do ta shohësh kush do të largohet më herët nga politika", deklaroi Kapri.
Debati vijoi me tone të ashpra, ndërsa përplasja mes dy deputetëve u përqendrua te ligji për tokën bujqësore, çështjet e pronësisë në Vlorë dhe akuzat për lidhje mes vendimmarrjeve politike dhe interesave private.
Sali Berisha ka firmosur masterplanin për zhvillimin e Zvërnecit, tha Taulant Balla teksa i përgjigjej Erald Kaprit lidhur me ligjin e tokave bujqësore. Kreu i grupit të PS është në pritje të rikthimit të kryetarit të PD në parlament për të publikuar dokumentin që “do ta qeshë e gjithë Shqipëria.”
“Jam duke pritur Saliun, mezi pres të vijë se kam një dokument që këtë Saliun do ta qeshë gjithë Shqipëria jo për 30, por për gjithë vitet e ardhshme. Kam një dokument që Saliu ka firmosur me dorën e vet zhvillimin e gjithë zonës së Zvërnecit, masterplanin”, tha Balla.
FIKS. Dhe dhendrri i berishes kete thot.destinacjonin e kopleksit partizani e ndryshoi rama...kete tani e thot ba.....lla..e ka ber berisha zvernecin...lum ne qe sju kemi