TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Korrik 2026, 10:54

Kosova ndez debatin në Kuvend, Kapri përplaset me Bidon: Ministrja serbe e gjen guximin te aleati në Tiranë që hesht

Shkruar nga Pamfleti
Kosova ndez debatin në Kuvend, Kapri përplaset me Bidon: Ministrja
Erald Kapri

Një debat i fortë u zhvillua në seancën plenare të Kuvendit mes deputetit të opozitës, Erald Kapri, dhe deputetit socialist Ardit Bido. Në qendër të përplasjes ishin qëndrimet ndaj Kosovës, raportet me Serbinë, protestat dhe legjitimiteti i qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, Kapri akuzoi kryeministrin Edi Rama për qasjen që ka mbajtur ndaj Kosovës dhe për afrimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Rama ka qenë kryeministri i vetëm pas Enver Hoxhës që ka vizituar Beogradin dhe, ashtu si Enver Hoxha, ka heshtur për Kosovën. Rama ka thënë për veriun se është tokë e askujt. Ramush Haradinaj ka deklaruar publikisht se Rama i ka kërkuar ndarjen e Kosovës”, u shpreh Kapri në Kuvend.

Sipas deputetit të opozitës, deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë shqiptare kanë krijuar terren për sulme verbale ndaj shqiptarëve të Kosovës nga zyrtarë serbë.

“Ku e gjen guximin ministrja serbe që fyen rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse gjen në Tiranë një aleat që hesht”, deklaroi ai.

Kapri u ndal edhe te situata në Kuvend, duke kritikuar praninë e forcave të shumta të Policisë gjatë zhvillimit të seancës.

“Ky Kuvend po zhvillon punimet nën rrethim, me qindra forca policie, sikur të jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Ky Parlament e ka humbur tërësisht legjitimitetin”, tha ai.

Deputeti ngriti gjithashtu çështjen e ligjit për zonat e mbrojtura, duke pretenduar se shfuqizimi i tij është një nga kushtet për integrimin europian, ndonëse, sipas tij, kryeministri e ka cilësuar atë si një nga ligjet më të mira.

“Dje u bë e e njohur se shfuqizimi i ligjit që u bë me porosi me 10 deputetë, 21/2024 është kusht për integrimin, ndërsa Rama tha se është ligji më i mirë ndonjëherë. Në krye të qeverisë kemi një kryeministër antikombëtar që flirton me Vuçiç sikur e ka shok banke. Në Hungari po zhvillohet një protestë për zonat e mbrojtura sepse protesta po shihet me kërshëri, ndryshe nga autokrati i fundit që do të ketë fatin e të gjithë të tjerëve”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Ardit Bido hodhi poshtë akuzat e Kaprit, duke i cilësuar ato si populiste.

“Më vjen keq që po dëgjojmë populizmin që ka sjellë vetëm gjak në histori. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën, por foli për konfederatën Ballkanike”, tha Bido.

Ai theksoi se Shqipëria ka mbështetur njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe kritikoi opozitën për qëndrimet e saj.

“Shqipëria ka kërkuar përmes kryeministrit Rama që Kosova e pavarur të njihet si e pavarur. Dëgjuam përfaqësuesin e një Lëvizjeje që është në kufijtë e antikombëtares, sepse janë me orë vonesë, kur vjen puna për spastrimin etnik në Çamëri partizat e vogla munguan në sallë dhe zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi të fshiheshin si struci. Fisi i një kolegu këtu votonte masivisht Fredi Belerin”, tha Bido.

Përplasja mes dy deputetëve vijoi edhe pas fjalës së socialistit. Kapri reagoi ndaj deklaratave të Bidos, duke kundërshtuar lidhjen e protestës me mbështetës të Fredi Belerit.

“Deputeti parafolës ka fyer protestën kur tha se drejtohet nga njerëz të Fredi Belerit, por nuk reagon kur Fredi Beleri del në foto me deputeten socialiste në Strasburg”, tha Kapri.

Në fund, deputeti i opozitës kritikoi edhe gjuhën e përdorur në Kuvend nga deputetët e rinj.

“Kam ndjekur gjatë politikën, por nuk kam parë nga Ruçi që Partia Socialiste të na shtypte. Nuk e kuptoj sesi një i ri mund të flasë me gjuhë urrejtjeje. Njerëz me thinja mbajnë gojën, ndërsa rioshët lëshohen sikur kushedi nga kanë dalë”, përfundoi Kapri.

Lini një Përgjigje