Historia e publikuar nga The New York Times për rekrutimin e dyshuar të Mahmoud Ahmadinejadit nga Mossadi paraqet një sërë elementesh që hedhin dyshime mbi realizueshmërinë dhe besueshmërinë e operacionit të përshkruar.
Hetimi i publikuar më 13 korrik nga The New York Times mbi përpjekjen e dyshuar të Mossadit për të rekrutuar ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad (2005-2013), me synimin për ta rikthyer më pas në pushtet, është pa dyshim intrigues. Nëse është edhe i besueshëm, kjo është një çështje krejt tjetër.
Kulmi i historisë do të ishte arritur gjatë konfliktit të nisur më 28 shkurt, kur një sulm izraelit në Teheran do t'u kishte mundësuar agjentëve të Mossadit ta nxirrnin fshehurazi Ahmadinejadin nga rezidenca e tij dhe ta transferonin në një vend të sigurt. Më pas ai thuhet se humbi kontaktet me izraelitët, pasi kishte filluar të mos u besonte më. Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: nëse Mossadi e kishte nën kontroll, përse do ta linte të largohej? Nëse ai u kishte shpëtuar, atëherë operacioni do të tregonte mungesë profesionalizmi.
Edhe pse historia mbështetet në burime të inteligjencës, ajo paraqet disa elemente që ngjallin dyshime. Vetë mënyra e pretenduar e rekrutimit nuk bind. Kontaktet thuhet se nisën në vitin 2022 dhe vazhduan me takime në Budapest, të maskuara si konferenca akademike, deri në dy takime mes Ahmadinejadit dhe kreut të atëhershëm të Mossadit, David Barnea.
Po aq i diskutueshëm është edhe vetë objektivi. Në strukturën e pushtetit iranian, presidenti nuk bën pjesë në qendrën reale të vendimmarrjes, e cila kontrollohet nga Udhëheqësi Suprem, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare dhe Garda e Revolucionit Islamik (IRGC). Nga pikëpamja e inteligjencës, do të kishte më shumë kuptim rekrutimi i një këshilltari të Udhëheqësit Suprem ose i një zyrtari të lartë të IRGC-së.
Pak bindëse duket edhe ideja që një operacion kaq delikat të zhvillohej në Budapest me përfshirjen e burimeve lokale, ose që vetë drejtori i Mossadit të takohej personalisht me një figurë që monitorohej vazhdimisht nga shërbimet iraniane. Operacione të tilla zakonisht kërkojnë shumë vite përgatitje, ndërsa afati kohor 2022-2026 duket tepër i shkurtër.
Historia u publikua edhe në një moment delikat për Izraelin, mes rivalitetit të vazhdueshëm ndërmjet inteligjencës ushtarake (Aman) dhe Mossadit, tensioneve të brendshme në shërbimet e sigurisë dhe në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit. Kjo e bën të mundur që rrjedhja e informacionit të ketë shërbyer edhe për përplasje të brendshme.
Në të njëjtën kohë, drejtues të inteligjencës ushtarake izraelite thuhet se e kishin konsideruar planin të parealizueshëm, duke vlerësuar se rrëzimi i regjimit në Teheran kishte pak gjasa dhe se rikthimi i Ahmadinejadit në pushtet ishte një objektiv jorealist.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me reagimin e autoriteteve iraniane. Nëse inteligjenca e Gardës së Revolucionit do të kishte zbuluar prova për kontakte të Ahmadinejadit me Mossadin, ai me shumë gjasë nuk do të ishte ende gjallë. Përkundrazi, atij iu lejua të merrte pjesë në funeralin e Ali Khameneit, çka lë të kuptohet se regjimi nuk e konsideron një figurë veçanërisht të rrezikshme.
Megjithatë, nëse historia merret si e mirëqenë, nuk mund të përjashtohet që përpjekjet për rekrutimin e Ahmadinejadit të kenë nisur shumë vite përpara se ai të bëhej president. Operacione të tilla kërkojnë kohë, analiza të thelluara psikologjike dhe mbledhje të vazhdueshme informacioni, fusha ku Mossadi konsiderohet një nga shërbimet më të afta.
Ahmadinejadi ishte presidenti iranian që, me deklaratat e tij për Holokaustin dhe Izraelin, kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në forcimin e perceptimit të Iranit si kërcënim ekzistencial për Izraelin. Pa figurën e tij, demonizimi ndërkombëtar i Iranit pas vitit 2005 mund të mos kishte marrë të njëjtat përmasa, edhe pse Teherani nënshkroi marrëveshjen bërthamore JCPOA në vitin 2015 dhe dështimi i saj erdhi pas tërheqjes së SHBA-së gjatë administratës së parë Trump.
Në fund mbetet një hipotezë po aq provokuese sa vetë historia: a mund të ketë qenë Ahmadinejadi mbulesa ideale për një aset iranian të nivelit të lartë, të kultivuar prej vitesh nga Izraeli? Për ta kuptuar këtë logjikë, mjafton të kujtohet një nga romanet më të njohura të John le Carré, "La Tamburina". /Përshtatur nga 'Inside Over'
Lini një Përgjigje