Një prej organizatorëve të protestës para Kryeministrisë, Edison Lika, u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen për vijimin e protestave, ndërsa deklaroi se seanca plenare e 23 korrikut do të jetë e fundit për deputetët aktualë.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Lika tha se seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar nuk do të jetë vetëm mbyllja e punimeve të Kuvendit, por, sipas tij, edhe fundi i mandatit politik të deputetëve aktualë.
Ai theksoi se vendimi për këtë nuk i takon klasës politike, por qytetarëve që, sipas tij, përmes protestës mund të imponojnë ndryshimin.
"Në datën 23 korrik do të jetë seanca e fundit plenare. Por ajo seancë do të jetë seanca e fundit për ata. Pasi nuk do të kthehen më në Kuvend. Po kush e vendos? Unë ju them; e vendosni ju! Këtu vendosim ne!", deklaroi Lika.
Në fjalën e tij, organizatori i protestës u bëri apel qytetarëve të bashkohen në tubimet e organizuara, duke argumentuar se vetëm përmes pjesëmarrjes dhe presionit qytetar mund të arrihet ndryshimi i kërkuar nga protestuesit.
Protesta para Kryeministrisë po zhvillohet për të 48-ën ditë radhazi. Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike dhe ndryshime në sistemin e qeverisjes, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje