TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Korrik 2026, 13:34

Berisha: PS kërkon ta miratojë e vetme reformën territoriale, Rama urdhëroi ndërprerjen e procesit

Shkruar nga Pamfleti
Berisha: PS kërkon ta miratojë e vetme reformën territoriale,
Berisha

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë arritur një marrëveshje për shtyrjen e afateve të Komisionit të Reformës Territoriale.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se synon ta miratojë reformën pa pjesëmarrjen e opozitës, duke pretenduar se procesi po drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

“PS kërkon ta miratojë pa PD. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat, të parashikuara dhe miratuara sipas rregullave. Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer, serioze dhe sapo Boçi kërkoi atë që ne kemi patur kusht, që ky komision të asistohet nga kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të KiE që është edhe instituti me ekspertizën më të madhe në këtë fushë. Papritmas, Rama urdhëron komisionin që të shkojnë në mënyrë të njëanshme. Ne kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe vlerësuam që të kemi një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën europiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën”, tha Berisha.

Kreu i demokratëve u shpreh gjithashtu se PD është kundër propozimit të prezantuar një ditë më parë nga bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive dhe ndarjen e vendit në rajone.

“PS do të shkojë veçmas, ajo është zgjidhje e tyre. Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër ekzistueses, dhe do bëjmë gjithë përpjekjet për të kundërshtuar këtë reformë”, vijoi Berisha.

Gjatë konferencës, Berisha u pyet edhe për dakordësinë mes palëve për shtyrjen e afateve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, si dhe nëse në diskutime ishte përfshirë një nga kërkesat e protestuesve, ajo për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.

Në përgjigjen e tij, kreu i PD-së tha se mazhoranca nuk ka vullnet për të pranuar kërkesat e protestës.

“Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ne i kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Këtu ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje