TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2026, 16:54

Gjermania dhe Franca bashkojnë forcat, Berlini pjesë e stërvitjes bërthamore të ushtrisë franceze

Shkruar nga Pamfleti
Gjermania dhe Franca bashkojnë forcat, Berlini pjesë e stërvitjes
Merz-Macron

Gjermania dhe Franca kanë dërguar një mesazh të qartë uniteti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjatë mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, të zhvilluar të premten në Këln.

Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi se forcat e armatosura gjermane do të marrin pjesë që këtë vit në një stërvitje bërthamore të organizuar nga Franca.

"Gjermania dhe Franca po thellojnë bashkëpunimin e tyre në mbrojtje. Ne po forcojmë aftësinë parandaluese të Evropës. Duke filluar nga ky vit, do të marrim pjesë në një stërvitje bërthamore me forcat e armatosura franceze", deklaroi Merz.

Takimi u zhvillua në bazën ajrore të Nörvenich, pranë Këlnit, ku Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën synimin për t'i dhënë një shtysë të re boshtit franko-gjerman, vetëm një muaj pasi u ndërpre programi i avionit luftarak të gjeneratës së ardhshme SCAF, për shkak të mosmarrëveshjeve industriale mes kompanive Airbus dhe Dassault Aviation.

Në një deklaratë të përbashkët, dy liderët thanë se mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë shënoi "hapin e parë operacional" në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Pas dështimit të projektit SCAF, Berlini dhe Parisi ranë dakord të punojnë për krijimin e një standardi të përbashkët që garanton ndërveprueshmërinë mes të gjitha sistemeve ajrore luftarake, nga dronët deri te avionët luftarakë.

Presidenti Macron tha se Franca dhe Gjermania kanë nxjerrë mësime nga "dështimi i SCAF" dhe kanë orientuar strategjinë e tyre të përbashkët të mbrojtjes drejt projekteve "shumë më të fokusuara", të cilat kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes drejtuesve politikë dhe industrisë së mbrojtjes.

Takimi u shoqërua edhe me një atmosferë miqësore mes dy liderëve. Merz publikoi disa fotografi në rrjetet sociale nga takimi me Macron, përfshirë një ku të dy shfaqen duke biseduar brenda një avioni ushtarak pa xhaketa.

"Faleminderit për miqësinë tënde, Emmanuel Macron", shkroi kancelari gjerman në një prej postimeve të tij.

merz macron berthamore

Lini një Përgjigje