Bashkimi Europian publikon listën e sektorëve ku gëlon korrupsioni...
Shëndetësia, Kadastra, prokurimet publike, partneritetet publike-private (PPP), arsimi, Policia e Shtetit, administrata tatimore dhe doganat janë sektorët ku korrupsioni bën ligjin.
Ky është vlerësimi i Komisionit Evropian në Raportin për Sundimin e Ligjit 2026, ku theksohet se, megjithëse është ngritur një sistem për identifikimin e rreziqeve të korrupsionit, nevojiten masa të tjera konkrete për të parandaluar abuzimet në këto fusha.
Sipas raportit, korrupsioni vazhdon të jetë veçanërisht problematik në shëndetësi, arsim, prokurime publike, partneritetet publike-private (PPP), strukturat e zbatimit të ligjit, kadastrën dhe administrimin e pronave, administratën tatimore dhe doganat.
Komisioni Evropian shpreh shqetësim edhe për ndërmarrjet shtetërore ose me kapital të pjesshëm shtetëror, të cilat menaxhojnë projekte të rëndësishme publike, përfshirë prokurimet në sektorin e infrastrukturës dhe dixhitalizimit, si edhe projekte të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian.
“Disa sektorë vazhdojnë të identifikohen si veçanërisht të cenueshëm ndaj rreziqeve të korrupsionit, veçanërisht shëndetësia, arsimi, prokurimet publike, partneritetet publike-private, zbatimi i ligjit, prona, administrata tatimore dhe doganat. Integriteti i biznesit mbetet një fushë që kërkon vëmendje të veçantë. Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të ekzistojnë edhe në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilat kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme publike, përfshirë prokurimet publike në sektorët e dixhitalizimit dhe infrastrukturës, ku përfshihen edhe fondet e Bashkimit Evropian. Transparenca në procedurat e prokurimeve publike, veçanërisht për partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar, sidomos sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik. Ndërhyrja politike mbetet ende e përhapur dhe kërkon masa mbrojtëse më të forta”, thekson raporti.
Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e transparencës në prokurimet publike, sidomos në kontratat e partneritetit publik-privat dhe në procedurat për dhënien e statusit të investitorit strategjik. Raporti thekson se ndërhyrja politike mbetet e përhapur, duke kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e integritetit të institucioneve.
Brukseli nënvizon se Strategjia Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 i ka përcaktuar si sektorë prioritarë për ndërhyrje infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë dhe prokurimet publike.
Raporti bën të ditur se gjatë periudhës së raportimit janë kryer ose kanë nisur vlerësime të rrezikut të korrupsionit në disa prej sektorëve me ekspozimin më të lartë, përfshirë prokurimet publike, shëndetësinë dhe administrimin e pronave, por thekson se zbatimi i masave duhet të shoqërohet me rezultate konkrete, monitorim të vazhdueshëm dhe koordinim më të fortë ndërinstitucional.
“Perceptimi i ekspertëve, qytetarëve dhe drejtuesve të bizneseve është se niveli i korrupsionit në sektorin publik mbetet i lartë. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025 të Transparency International, Shqipëria ka marrë 39 pikë nga 100 dhe renditet e 91-ta nga 181 vende në botë. Ky perceptim është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit.
Eurobarometri Special 2026 për Korrupsionin në Shqipëri tregon se 86% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin të përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së është 71%), ndërsa 39% ndihen të prekur personalisht nga korrupsioni në jetën e tyre të përditshme (mesatarja e BE-së është 30%)”, thekson raporti.
Pra duket se sektorët ku gëlon korrupsioni janë ata të drejtuar nga Lorena Goxhobelli e Kadastrës, Evis Sala e Shëndetësisë, Mirela Kumbaro e Arsimit, Petrit Malaj i Financave apo Besfort Lamallari i Punëve të Brendshme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje