TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Korrik 2026, 14:40

4.2 mln euro për Kanye West, media zvicerane: Katastrofa politike e Ramës ushqen më tej zemërimin e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti

4.2 mln euro për Kanye West, media zvicerane: Katastrofa politike e

Shfaqja e artistit amerikan në Tiranë është shndërruar në një problem politik për kryeministrin Edi Rama, ndërsa protestat kundër qeverisë kanë marrë përmasa më të gjera se pakënaqësia fillestare.

Reperi kontrovers amerikan Kanye West, i cili tashmë mban emrin Ye, performoi të shtunën e kaluar pranë Tiranës në një koncert që, sipas raportimeve, u financua me para publike. Qeveria e kryeministrit Edi Rama i akordoi organizatorit privat të koncertit rreth 4.2 milionë euro, nga frika se eventi, i paralajmëruar me bujë të madhe, mund të anulohej për shkak të shitjeve të ulëta të biletave.

Pak ditë para koncertit, Rama deklaroi në një video në Facebook se me këtë mbështetje financiare kishte shmangur një turp për Shqipërinë. Kryeministri fajësoi gjithashtu protestuesit e të ashtuquajturit "Revolucioni Flamingo", duke i akuzuar për shpifje dhe sabotim. Sipas tij, fushata e tyre kishte trembur adhuruesit e muzikës dhe kishte ndikuar negativisht në shitjen e biletave. Prej javësh, në vend zhvillohen protesta të përditshme kundër qeverisë.

Shumë vende evropiane kanë anuluar koncertet e Kanye West për shkak të deklaratave të tij të përsëritura antisemite dhe raciste. Megjithatë, Rama, i cili është shprehur vazhdimisht në mbështetje të Izraelit, lejoi ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm, të quajtur Eagle Stadium, me kapacitet prej 60 mijë spektatorësh, posaçërisht për koncertin e artistit.

Qëllimi ishte që eventi të shërbente si një sukses promovues për Shqipërinë, por rezultati ishte i kundërt. Kur u bë publike se qeveria kishte siguruar 4.2 milionë euro përmes një akti normativ, duke përdorur fondin e emergjencave të buxhetit të shtetit, koncerti u shndërrua në një skandal politik. Këto fonde janë të destinuara për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe përdorimi i tyre për financimin e një koncerti konsiderohet nga kritikët si shkelje e ligjit.

Si pasojë, opozita depozitoi një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit të Kulturës, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullave të konkurrencës në prokurimet publike.

Përtej aspektit ligjor, reagimi më i madh i qytetarëve lidhet me përdorimin e parave publike për një koncert në një kohë kur vendi përballet me inflacion të lartë dhe probleme të shumta strukturore. Sipas artikullit, vendimi i Ramës erdhi në momentin më të papërshtatshëm dhe tregoi se qeveria ka humbur kontaktin me shqetësimet e qytetarëve./Përshtati me shkurtime "Pamfleti" nga "Neue Zuercher Zeitung"

rama kaney west 4.2 mln euro

Lini një Përgjigje