TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Korrik 2026, 08:58

Familja e Martin Canit i përgjigjet Ramës: Po përdor emrin e djalit tonë për politikë! Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike

Shkruar nga Pamfleti
Familja e Martin Canit i përgjigjet Ramës: Po përdor emrin e
Prindërit e Martin Canit dhe kryeministri Rama

Prindërit e Martin Canit kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë prezantimit të projektit “Smart City” dhe implementimit të tij në 20 shkolla, iu referua edhe tragjedisë që i mori jetën djalit të tyre.

Në një deklaratë publike, familja Cani akuzon kreun e qeverisë se vijon ta përdorë emrin e Martinit për qëllime politike dhe propagandistike, ndërsa, sipas tyre, shmang përgjegjësitë e institucioneve që dështuan ta mbronin.

“Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.”, theksojnë ata.

Familja shprehet se deklaratat e Ramës, sipas të cilave prindërit duhet të ndihen më të qetë falë masave të marra nga qeveria, nuk përputhen me realitetin. Ata argumentojnë se edhe pas mbylljes së TikTok, e cila u paraqit nga qeveria si një nga masat pas vrasjes së Martinit, vendi është përballur me raste të tjera të vrasjeve të të miturve në Maliq dhe Durrës. Për familjen, këto ngjarje tregojnë se problemi nuk lidhet me rrjetet sociale, por me mungesën e sigurisë në shkolla, dështimet e sistemit arsimor dhe përgjegjësinë institucionale.

Në reagimin e tyre, prindërit kundërshtojnë edhe fokusin e qeverisë te projekti i kamerave inteligjente në shkolla. Ata thonë se kamerat nuk mund të parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët dhe nuk garantojnë sigurinë e nxënësve. Sipas tyre, investimi në teknologji nuk mund të zëvendësojë masat konkrete që, sipas familjes, do të shmangnin ngjarje të tilla tragjike.

Familja Cani ngre gjithashtu pyetje për mungesën e komunikimit nga ana e kryeministrit. Ata thonë se, megjithëse Rama ka deklaruar publikisht se mendon vazhdimisht për Martinin, ai nuk ka takuar asnjëherë familjen, nuk ka ofruar mbështetje institucionale dhe nuk ka kërkuar falje për atë që ata e konsiderojnë dështim të sistemit shtetëror.

Më tej, në deklaratën e tyre, familja Cani flet edhe për trajtimin mjekësor të Martinit. Sipas familjes, në Spitalin e Traumës mungonin si kardiokirurgu, ashtu edhe pajisja zemër-mushkëri, e cila, do të kishte rritur mundësinë për t'i shpëtuar jetën djalit të tyre. Ata kritikojnë faktin që kjo pajisje nuk është siguruar ende, ndërsa shtrojnë pyetjen se sa jetë të tjera duhet të humbasin përpara se të ndërmerren investime të tilla.

Familja hedh akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se arma e krimit u gjet nga një qytetar i rastësishëm dhe jo nga efektivët, çka sipas tyre dëshmon mangësi serioze në veprimet hetimore dhe rrezik për humbjen e provave.

Në fund të deklaratës, familja Cani i bën thirrje kryeministrit që të kërkojë përfundimin e hetimeve për përgjegjësinë e shkollës "Fan Noli", e cila sipas tyre nuk njoftoi prindërit për incidentin paraprak, si edhe të hetimeve mbi mënyrën se si u trajtua Martini nga sistemi shëndetësor. Ata e konsiderojnë të papranueshme që, sipas tyre, 18 muaj pas ngjarjes ende nuk ka përgjigje për këto çështje.

"Drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët e Shqipërisë, përgjegjësi nga institucionet dhe veprime, jo fjalë", janë kërkesat me të cilat familja e mbyll deklaratën e saj publike.

Deklarata e plotë:

Tiranë, 17.07.2026

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, Kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok
Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:

Një i mitur u vra në Maliq.
Një tjetër i mitur u vra në Durrës.
Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin
Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

nuk parandalojnë dhunën,
nuk zëvendësojnë psikologët,
nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,
nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.
Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë
Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?
Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?
Martini vdiq sepse:

Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.
Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?
Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

Ministrja Manastirliu qeshi;
Ministrja Balluku qeshi.
Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

Policia nuk bëri detyrën, arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm
Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
Hetimi nuk do të ishte i cunguar.
Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor
Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.
18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

Drejtësi për Martinin
Siguri për fëmijët e Shqipërisë
Përgjegjësi nga institucionet
Veprime, jo fjalë
Familja Cani Tiranë, 17.07.2026

familja e martin canit rama politike

Lini një Përgjigje