Pasi u zgjodh në krye të Partisë Laburiste, Andy Burnham deklaroi se është gati të "mposhtë të djathtën e re britanike" me një qasje të re dhe bashkuese. Ish-kryebashkiaku i Greater Manchester pritet të marrë detyrën e kryeministrit të Britanisë së Madhe të hënën, duke pasuar Keir Starmer.
Burnham siguroi mbështetjen dërrmuese të deputetëve, sindikatave dhe degëve të Partisë Laburiste, duke qenë kandidati i vetëm për të marrë drejtimin e saj pas Starmer.
Në konferencën e posaçme të Laburistëve, të mbajtur të premten në selinë e Kongresit të Sindikatave) në Londër, ai u shpall zyrtarisht lider nga Shabana Mahmood, e cila konsiderohet favoritja për postin e ministres së Financave në qeverinë e ardhshme dhe që njëkohësisht drejton organin ekzekutiv të partisë.
Duke folur para drejtuesve dhe mbështetësve të Partisë Laburiste, Burnham tha se Britania "po kërkon me ngulm një politikë të re". Ai paralajmëroi se kjo është "mundësia e fundit" që Laburistët të sjellin ndryshimin, duke theksuar se kjo mund të arrihet vetëm përmes unitetit.
"Ky është një moment krenarie për mua dhe familjen time, por edhe shumë emocionues. Jam gati për këtë përgjegjësi, gati të udhëheq dhe të ndërtoj mbi themelet që ka vendosur më shumë se kushdo tjetër Keir Starmer. Nën drejtimin e tij kaluam nga humbja më e rëndë në një nga fitoret më të mëdha në histori", u shpreh Burnham.
Ai shtoi se Partia Laburiste është tashmë e bashkuar dhe se kjo forcë duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe komuniteteve që prej kohësh presin një politikë që u rikthen shpresën.
Megjithëse vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Burnham tha se është koha për të hapur një kapitull të ri.
"Do të punoj pa u lodhur për të ndërtuar kulturën e një ekipi të vetëm laburist, sepse ndryshimi nis nga ne. Nuk mund ta mposhtim të djathtën e re britanike nëse konsumojmë energjitë tona në përçarje dhe duke tërhequr secili në drejtime të ndryshme", deklaroi ai.
Lideri i ri nuk ka bërë ende publike një platformë të detajuar qeverisëse, por tha se prioritetet e tij do të jenë decentralizimi i pushtetit drejt komuniteteve, mbështetja e biznesit dhe ndërtimi i më shumë banesave sociale dhe publike.
Burnham pritet të marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të hënën, pasi Keir Starmer të zhvillojë ceremoninë e dorëzimit të mandatit në Pallatin Buckingham.
Më pas, ai do të mbajë fjalimin e parë përpara Doëning Street dhe gjatë pasdites pritet të shpallë kabinetin e ri qeveritar, edhe pse deklaroi se ende nuk ka vendosur për të gjithë emrat e ekipit të tij.
Burnham tha se synon t'i japë Partisë Laburiste një drejtim të ri politik, duke kërkuar njëkohësisht bashkëpunim me partitë e tjera. Ai hodhi poshtë idenë e imitimit të konservatorëve, të konkurrimit me Reform UK në terrenin e saj apo të përpjekjes për të qenë "më i gjelbër se të Gjelbrit".
"Dua që qytetarët të kuptojnë logjikën që qëndron pas drejtimit politik që do të ndjek", tha ai, duke argumentuar se një pjesë e madhe e pushtetit është përqendruar në Ëestminster ose i është deleguar kompanive private.
Duke iu përgjigjur kritikave se ka qenë i fokusuar kryesisht te veriu i Anglisë për shkak të rolit të tij si kryebashkiak i Greater Manchester, Burnham theksoi se do të jetë kryeministër për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
"Ky është momenti për të folur në emër të çdo pjese të vendit dhe për t'i bashkuar njerëzit rreth një kauze të përbashkët. Unë e dua çdo cep të këtij vendi, çdo theks, çdo traditë dhe madje edhe disa nga klubet e futbollit. Por besoj se të gjitha mund të arrijnë më shumë", u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Burnham premtoi se do ta "rikthejë pushtetin nga Westminster dhe Whitehall te komunitetet ku jetojnë qytetarët", ndërsa shprehu mirënjohjen për figurat e Laburistëve David Blunkett dhe Neil Kinnock, të cilët, sipas tij, kanë ndikuar në rrugëtimin e tij politik.
Lini një Përgjigje