TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Korrik 2026, 18:19

Kush i helmon studentët e Akademisë së Sigurisë? "Sori-Al" del sërish e 'pastër', i hiqet dryni kompanisë së Alma Tafanit

Shkruar nga Pamfleti
Kush i helmon studentët e Akademisë së Sigurisë?
Nikolin Jaka dhe Alma Tafani

Katër helmime, asnjë përgjegjës! "Sori-Al" i shpëton sërish bllokimit

Për herë të dytë brenda pak javësh, kompania e kateringut "Sori-Al" del "e pastër" nga analizat laboratorike, ndërsa dhjetëra studentë të Akademisë së Sigurisë përfundojnë në spital me shenja helmimi. Paradoksi mbetet i njëjtë: nëse ushqimi rezulton brenda normave dhe kushtet higjieno-sanitare janë në rregull, atëherë kush i helmoi studentët?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur të zhbllokojë aktivitetin e kompanisë "Sori-Al", pasi analizat e kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) rezultuan konforme me standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas AKU-së, u analizuan gjithsej 33 mostra ushqimore dhe tamponë higjienikë, ndërsa më pas kompania kreu edhe analizat e vetëkontrollit për ambientet, pajisjet dhe punonjësit. Edhe kontrollet e përsëritura të kryera më 10 korrik rezultuan, sipas institucionit, brenda normave, duke çuar në heqjen e masës së pezullimit dhe rifillimin e aktivitetit në kuzhinën e Garnizonit "Skënderbej".

"Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin “Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti,  subjekti Sori-al  ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambjenteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore.

AKU më 10.7.2026 pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV.

Me daljen e rezultatit të analizave konforme  për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë  25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin “Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al”  dhe  OBU-së i  lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”", shprehet AKU.

Por vendimi ngre sërish të njëjtën pyetje që u ngrit edhe pas rastit të parë: si është e mundur që dhjetëra studentë përfundojnë në spital, ndërsa analizat dalin të gjitha "konforme"?

Helmimi i 64 studentëve në qershor nuk ishte një episod i izoluar. Vetëm një muaj më parë, në maj, edhe 52 studentë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën me të njëjtat simptoma, ndërsa dyshimet ranë mbi të njëjtën kompani. Edhe atëherë aktiviteti i "Sori-Al" u bllokua përkohësisht, por pezullimi zgjati vetëm pak ditë dhe kompania rifilloi punën.

Historia, megjithatë, shkon shumë më pas në kohë.

Më 18 maj 2015, 63 studentë të Akademisë së Policisë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e furnizuar nga e njëjta kompani. Gjashtë vjet më vonë, më 3 mars 2021, 30 studentë të tjerë përfunduan në spital në një tjetër episod të ngjashëm. Më 6 maj 2026 u regjistrua rasti i tretë, kur 56 studentë u helmuan sërish. Pak javë më vonë erdhi edhe rasti i katërt, me 64 studentë të tjerë.

Në të katër episodet, ushqimi është furnizuar nga kompania "Sori-Al".

Megjithatë, kompania ka vijuar aktivitetin dhe kontratat publike. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025, "Sori-Al" kishte fituar 75 tendera publikë, me një vlerë totale prej 4.2 miliardë lekësh.

Edhe pas helmimit të fundit, hetimet nuk prekën kompaninë në tërësi. Policia arrestoi kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologen e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa administratorja Alma Tafani u shpall në kërkim. Megjithatë, pas daljes së analizave laboratorike, AKU vendosi t'i heqë bllokimin subjektit dhe t'i lejojë rifillimin e aktivitetit.

"Sori-Al" është kompania që siguron kateringun për Akademinë e Sigurisë, por kontratat e saj shtrihen edhe në institucione të tjera publike, përfshirë kopshte dhe çerdhe.

Ndërsa aktiviteti i kompanisë zhbllokohet edhe një herë, mbetet ende pa një përgjigje pyetja që ka shoqëruar të gjitha episodet e helmimeve ndër vite: nëse ushqimi dhe kushtet higjienike rezultojnë gjithmonë sipas standardeve, atëherë çfarë i dërgon vazhdimisht studentët në spital?

tafani jaka

Lini një Përgjigje