
Gazetari Elkier Bushkolaj ka komentuar funksionimin e SPAK-ut dhe ecurinë e hetimeve për aferat më të bujshme në vend.
Sipas tij, pas disa vitesh funksionimi, Prokuroria e Posaçme nuk mund të justifikohet më me kohën e nevojshme për konsolidim, ndërsa ngriti akuza për mungesë vullneti në hetimin e çështjeve që, sipas tij, çojnë te përgjegjësit kryesorë të vendimmarrjes.
Bushkolaj u ndal te dosja e inceneratorëve, duke pretenduar se ajo është copëzuar në disa procedime, çka, sipas tij, ka sjellë dënime të ulëta dhe nuk ka çuar hetimet te zinxhiri i plotë i përgjegjësisë.
Ai përmendi gjithashtu dosjen "Partizani", duke deklaruar se SPAK ka ndërtuar akuzën mbi firmat e kreut të PD-së, Sali Berisha, ndërsa, sipas tij, nuk ka zbatuar të njëjtin standard për vendimmarrje të tjera të firmosura nga kryeministri Edi Rama.
Gazetari ngriti pikëpyetje edhe për dosjen "Xibraka", lejet e kullave dhe hetimet për krimin zgjedhor, duke pretenduar se nuk janë përdorur të gjitha instrumentet hetimore për të verifikuar rekordet e votave, tabulatet telefonike dhe elementë të tjerë që, sipas tij, mund të ndihmonin në zbardhjen e rasteve të dyshuara të manipulimit të zgjedhjeve.
Bushkolaj shtoi se një pjesë e konsiderueshme e rezultateve të deritanishme të SPAK-ut mbështetet në materialet e ardhura nga partnerët ndërkombëtarë dhe përgjimet e platformës SKY ECC, duke pretenduar se pa këto materiale bilanci i institucionit do të ishte shumë më i kufizuar.
"Te dosja e inceneratorëve, një dosje e madhe: bonus 8% për një kompani që nuk ekzistonte, 17 vendime brenda ditës, fap, fap, fap, fap. Ku është SPAK-u? Po te dosja Xibraka, kush është personi i paidentifikuar që nuk e gjen SPAK-u, në një kohë që qeveria identifikon me mijëra protestues, madje identifikon protestues me rekorde kriminale? Ku është SPAK-u që nuk e gjen? Po te dosja e kullave, kush është njeriu që ka firmosur lejet për kullat ku janë pastruar paratë e kartelit të drogës? Sepse sa mirë SPAK-u e gjeti që zoti Berisha paska firmosur një vendim nga i cili ka përfituar dhëndri i tij. Ndërkohë që këta nuk gjejnë asnjë vendim të Edi Ramës nga i cili kanë përfituar kartele kriminale që kanë pastruar paratë e drogës.
Ky është thelbi. Janë disa çështje të rëndësishme. Pastrimi i parave dhe krimi zgjedhor janë krime flagrante që ndodhin përgjatë gjithë këtyre viteve, vetëm në sytë e televizionit. Ka të paktën katër vite që ngrihen këto shqetësime. Ku t’i gjej provat për krimin zgjedhor? Shko, janë me zë e me figurë dhe gjeji provat atje. Gazetarët i gjetën te zyrat e atij në mes të Bllokut. Ndërsa Dumani nuk i gjen dot. Sepse i duket krim intelektual Dumanit, apo kolegëve të Dumanit.
Pra, këtu është problemi. Qytetarët sot po dalin në shesh kundër padrejtësisë. Vërtet kundër qeverisë dhe kundër aferave të qeverisë, por është kjo drejtësi e re, që na u premtua me bujë, ku u investuan miliona euro nga partnerët dhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, që nuk godet. Ky është thelbi se pse jemi në këtë situatë", tha gazetari për "Syri Tv".
Lini një Përgjigje