TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Korrik 2026, 08:35

“Nuk është më koha për triumfalizëm”, Kremlini shpall fitore, por mediat ruse humbasin besimin te Putin

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk është më koha për triumfalizëm”,
Putin

Krahas propagandës zyrtare, një pjesë e opinionit publik rus po shfaq gjithnjë e më shumë dyshime për zhvillimet në Ukrainë dhe për aftësinë e Moskës për të arritur objektivat e saj.

"Nuk është më koha për triumfalizëm." Ky është përkthimi fjalë për fjalë i titullit me të cilin e përditshmja ruse Izvestia komentoi largimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov. Ky titull përmbledh më së miri ndryshimin e tonit që po vihet re në një pjesë të medias dhe opinionit publik rus.

Sigurisht, narrativa zyrtare dhe propaganda mbeten të pandryshuara. Siç shkruan agjencia shtetërore RIA Novosti, "regjimi i Kievit nuk ka rezistuar dhe përçarja është shndërruar në një rebelim kundër Zelenskyt. Ndërkohë, drejtuesit e tij e ndiejnë se fundi është i pashmangshëm dhe gjithnjë e më afër; prandaj po zgjasin duart me dëshpërim për të marrë gjithçka që mund të grabisin".

Megjithatë, nëse shikohet më thellë ajo pjesë e opinionit publik rus që kohët e fundit po përpiqet të analizojë zhvillimet pa iu përmbajtur plotësisht vijës së Kremlinit, dalin në pah dyshime dhe pasiguri.

Një shembull është Moskovsky Komsomolets, një gazetë e njohur për besnikërinë ndaj linjës zyrtare, e cila kësaj here shmang retorikën e zakonshme propagandistike. Pyetjes nëse duhet parë si lajm pozitiv largimi i Fedorovit, gazeta i përgjigjet:

"Në përgjithësi, në disa aspekte duhet patjetër t’i kemi zili armiqtë tanë, madje në disa raste edhe t’i marrim shembull. Shikoni Fedorovin. Ai është vetëm 35 vjeç dhe nuk është rastësi që u përplas me gardën e vjetër. Nuk mund të mohohet se ka arritur suksese."

Vetëm pak muaj më parë, një vlerësim i tillë për një zyrtar të lartë ukrainas do të kishte qenë i paimagjinueshëm në mediat ruse.

Kjo nuk është një pikëpamje e izoluar. Edhe Aleksander Kots, një nga blogerët më të njohur pro luftës dhe komentator i gazetës Komsomolskaya Pravda, e ka të vështirë të flasë me të njëjtin siguri për një fitore ruse.

"Pas protestave të papritura, si brenda vendit ashtu edhe nga Perëndimi, Zelensky nxori nga "kapelja" Yevhen Khmarën, kreun e përkohshëm të SBU-së, gjeneral dhe komandant i njësisë Alfa. Njësia e tij është përgjegjëse për "operacionet speciale" më të përgjakshme të regjimit të Kievit kundër civilëve. Masakra e spektatorëve në Crocus më 22 mars 2024. Vrasja e Darya Duginës pranë Moskës. Shpërthimet në urën e Krimesë. Organizimi i operacionit "Rrjeta e Merimangës", sulmet me dronë ndaj aeroporteve tona strategjike më 1 qershor 2025. Publikisht, Khmara flet vetëm një gjuhë: "pushtues", "agresion rus", "operacionet tona speciale po rishkruajnë manualet e shërbimeve sekrete në mbarë botën". Ai është një oficer që as nuk i konsideron negociatat si objekt studimi, ndërsa viktimat civile për të janë vetëm një efekt anësor... Çfarë do të thotë kjo për ne? Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës nuk do të drejtohet nga një reformator, por nga dikush që ka për profesion kryerjen e atentateve terroriste dhe vrasjen e civilëve në territorin tonë."

Shfaqja gjithnjë e më e dukshme e këtyre dyshimeve për ecurinë e luftës përbën një zhvillim të ri dhe tregon se gjendja shpirtërore e një pjese të opinionit publik rus po ndryshon.

Roman Aliokhin, një nga blogerët patriotë që njihet për analizat e tij më racionale dhe që për këtë arsye është shpallur nga autoritetet ruse "agjent i huaj", shkon edhe më tej duke shprehur hapur mosbesim ndaj aftësive të aparatit ushtarak rus.

«Kush dhe çfarë na leverdis që të jetë në krye të vendit që është në luftë me ne? A nuk do të ishte më keq nëse Fedorovi do ta rrëzonte Zelenskyn, të cilin të paktën e njohim mirë? Në çdo rast, ky është pikërisht momenti kur mund dhe duhet të fusim një pykë në çarjen që po hapet në Ukrainë. Pikërisht kështu do të vepronte një ekspert i luftës hibride. Do të ishte një dhuratë për ne. Sikur të dinim si të zhvillonim një luftë hibride.»

Kështu, duket se në Rusi po dallohen gjithnjë e më qartë dy linja mendimi. E para është ajo e diktuar nga autoritetet, e përfaqësuar nga RIA Novosti, e cila vazhdon të përdorë një gjuhë triumfaliste dhe propagandistike.

"Rrethi i atyre që lejohen të ushqehen në "grazhdin ukrainas" po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Kur kafshët mbeten në një gropë, ato fillojnë shumë shpejt të shqyejnë njëra-tjetrën. Ju bëftë mirë! Së shpejti do t'ju dërgojmë Geranët tanë". (Geran është një dron i rëndë rus).

Nga ana tjetër, po shtohen zërat që përpiqen të shohin përtej propagandës dhe, brenda kufijve që u lejohet, të përballen me realitetin e luftës dhe pasojat e saj./ Corriere della Sera

Lini një Përgjigje