
Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin Arvin Fregjaj, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë të 32-vjeçarit Vildan Kepëca, ngjarje e ndodhur paraditen e sotme në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen "Vasil Shanto".
Sipas Policisë, i riu akuzohet për veprat penale "Vrasje e mbetur në tentativë" dhe "Mbajtja pa leje e armës së ftohtë".
Në pranga ka përfunduar edhe babai i tij, 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim dhe se ka përkrahur autorin pas ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:30, pas një konflikti për motive të dobëta, 18-vjeçari goditi me thikë 32-vjeçarin, i cili u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë u nisën drejt vendngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, efektivët morën informacion se Arben Kepëca, 41 vjeç, vëllai i të plagosurit, kishte marrë një armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe ishte nisur për të gjetur autorin e dyshuar.
Policia ndërhyri në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Sipas autoriteteve, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën që mbante me vete, por u kap dhe u arrestua në flagrancë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje