TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Korrik 2026, 18:36

Kurti 'hap derën' për gazin amerikan: Po shqyrtojmë LNG-në nga SHBA përmes Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti

Kurti 'hap derën' për gazin amerikan: Po shqyrtojmë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Qeveria po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara, në kuadër të përpjekjeve për të diversifikuar burimet e energjisë në vend.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 105 megavatesh në Rahovec.

“Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë më të përgjegjshme me theks të veçantë të gazifikimi i tij, dhe po e shqyrtojmë mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha Kurti.

Kjo është hera e parë që Kurti, apo një përfaqësues i qeverisë së tij, deklaron publikisht se Prishtina po shqyrton mundësinë për t'iu bashkuar projektit amerikan të furnizimit me LNG, pas thirrjeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara.

Në fund të muajit qershor, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se Kosova nuk është kundër gazit të lëngshëm amerikan dhe se kjo çështje do të trajtohej “me shumë seriozitet”. Ajo theksoi gjithashtu se qeveria e sheh gazifikimin e thëngjillit si një alternativë më të favorshme sesa importin e LNG-së amerikane.

Aktualisht, rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa vetëm rreth 10 për qind sigurohet nga burimet e ripërtëritshme, si hidrocentralet, energjia e erës dhe ajo diellore. Gjatë periudhave me konsum të lartë, vendi mbështetet edhe te importi i energjisë.

Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë paralajmëruar se refuzimi i projekteve rajonale të gazit të lëngëzuar mund të ketë pasoja për partneritetin strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas tyre, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do të rriste sigurinë energjetike, do të diversifikonte burimet e furnizimit dhe do ta bënte vendin më tërheqës për investime.

Debati është intensifikuar edhe pas një opinioni të publikuar në fillim të qershorit nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila i bëri thirrje Kosovës të ndërtojë një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes gazit amerikan.

Njohës të sektorit të energjisë vlerësojnë se Uashingtoni synon të forcojë sigurinë energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të reduktojë varësinë e tyre nga ndikimi rus dhe burime të tjera të jashtme.

Ndërkohë, disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën, kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe autoritetet amerikane për zgjerimin e infrastrukturës së gazit natyror.

kryeministri në detyrë i kosovës albin kurti shba gaz i lengshem

1 Komente

  1. T
    Tony

    Si urdhnon or tai, tani tu mbush mendja qe me sllavet e aziatiket nuk ka as kompromis e as biznes! Po qe per pre e luanit ose e hienes me mire prano luanin.

    Lini një Përgjigje