TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Korrik 2026, 18:15

U filmuan duke i marrë para një shoferi, AMP arreston dy efektivët e Policisë

Shkruar nga Pamfleti

U filmuan duke i marrë para një shoferi, AMP arreston dy

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Shpërdorimi i detyrës".

Sipas AMP-së, hetimi nisi menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku dy efektivët shfaqeshin duke marrë para nga një drejtues automjeti dhe në këmbim nuk do ta penalizonin për shkeljen e konstatuar.

Pas verifikimit të pamjeve dhe kryerjes së veprimeve hetimore, u arrestuan oficerët me iniciale D. B., 25 vjeç, dhe E. K., 23 vjeç, të dy pjesë e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë.

AMP bën me dije se hetimet vijojnë edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

"AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 3, Tiranë, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre

Drejtoria Rajonale Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë kompetente, ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

- D. B, 25 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;

- E. K, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.

Hetimi ka nisur menjëherë pas publikimit, më datë 16.07.2026, të pamjeve filmike në rrjetin social “Jeta është Qef”, të cilat u analizuan dhe u verifikuan në mënyrë të plotë nga strukturat hetimore të AMP-së.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, në funksion të veprave penale të parashikuara nga nenet 244 dhe 301 të Kodit Penal.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe çdo forme tjetër paligjshmërie nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Falenderojmë qytetarët dhe median për kontributin e tyre në denoncimin e rasteve të shkeljes së ligjit", thuhet në njoftimin e AMP.

amp arrestim flagrance policia oficere

Lini një Përgjigje