Vera është periudha kur noti bëhet një nga aktivitetet fizike më të preferuara. Përveçse ofron freski gjatë ditëve të nxehta, ai ndihmon në ruajtjen e formës fizike dhe në kontrollin e peshës gjatë pushimeve. Por a mjafton noti për të djegur yndyrën, apo vrapi mbetet alternativa më efektive?
Vrapi
Pavarësisht nëse është pjesë e rutinës suaj apo jo, vrapi konsiderohet një nga ushtrimet më efikase për shëndetin e zemrës dhe për djegien e kalorive. Ai rrit qarkullimin e gjakut në muskuj, përshpejton metabolizmin dhe përmirëson ndjeshëm aftësinë fizike.
Trajnerja Jodie McKnight thekson se, edhe pse kërkon përgatitje fizike dhe mendore, vrapi është një nga mënyrat më të mira për të djegur kalori.
Sipas të dhënave të Universitetit të Harvardit, një burrë me peshë rreth 85 kilogramë që vrapon me shpejtësi 10 kilometra në orë djeg rreth 420 kalori në 30 minuta, ndërsa një grua me peshë rreth 72 kilogramë djeg afërsisht 360 kalori.
Për fillestarët, McKnight rekomandon vendosjen e një objektivi prej 30 minutash aktivitet, edhe nëse një pjesë e kohës kalohet duke ecur, si dhe dëgjimin e muzikës së preferuar për ta bërë stërvitjen më të këndshme.
Noti
Noti është një aktivitet që angazhon pothuajse të gjithë muskujt e trupit. Ai forcon muskujt e trungut, aktivizon krahët dhe këmbët, rrit ritmin e zemrës dhe ndihmon në humbjen e peshës.
Trajnerja personale Louisa Drake shpjegon se noti, si një ushtrim me ndikim të ulët mbi kyçet, përmirëson forcën muskulore, qarkullimin e gjakut dhe funksionin e zemrës dhe mushkërive.
Edhe në këtë rast, të dhënat e Universitetit të Harvardit tregojnë se një burrë djeg rreth 252 kalori në 30 minuta not me ritëm të qetë, ndërsa me ritëm intensiv djeg deri në 420 kalori. Për gratë, shifrat janë rreth 216 kalori me ritëm të lehtë dhe 360 kalori me not intensiv.
Cili është më efektiv?
Nëse krahasohet me notin e qetë, vrapi djeg më shumë kalori dhe mund të jetë më efektiv për humbjen e yndyrës. Megjithatë, kur noti kryhet me intensitet të lartë, diferenca mes dy aktiviteteve bëhet minimale.
Në fund, zgjedhja më e mirë është aktiviteti që ju pëlqen më shumë. Duke e praktikuar rregullisht dhe me disiplinë, do ta keni më të lehtë të humbni peshë dhe të përmirësoni gjendjen fizike.
Lini një Përgjigje