
Gjatë protestës qytetare të zhvilluar këtë të shtunë, aktivistja Luçiana Kokaj, banore e fshatit Rrjoll në Velipojë, ngriti shqetësimin për projektet turistike që parashikohen në zonë, duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas saj, ndërtimi i resorteve në Rrjoll po shoqërohet me tjetërsim të pronave dhe falsifikim të dokumentacionit të pronësisë. Kokaj i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë procesin, duke pretenduar se në dosje do të dalin në pah shkelje dhe raste korrupsioni.
“Do flas si nëna e Glauk. SPAK duhet të hetojë vjedhjen kriminale të Rrjolit. Të gjitha organizatat janë bërë bashkë. Rrjolli nuk duhet të ndërtohet, nuk duhet të bëhen resorte aty. Në kurrizin e kujt? Të qytetarëve. Ndërkohë që ne largohemi çdo ditë nga Shqipëria, këta ndërtojnë resorte çdo ditë dhe modifikojnë historitë. I bëj thirrje SPAK, të hapë dosjen e Rrjollit se do të gjejë shumë gjëra në të, gjyqtarë të korruptuar. Ata e tjetërsuan pronën duke vendosur mbiemrin e tyre. Ne jemi 100 familje që nuk qenkemi në pronarë, ndërsa një ish-drejtor Hipoteke ka 100 mijë ha tokë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje