Në ditën e 49-të të protestës qytetare kundër qeverisë, gazetari Osman Stafa, mori fjalën para protestuesve, duke u rreshtuar problematikat që po përballen qytetarët në vend.
Në fjalën e tij, Stafa kritikoi gjendjen e sistemit shëndetësor publik, duke pretenduar se spitalet vijojnë të përballen me mungesë pajisjesh dhe medikamentesh, ndërsa fondet publike po orientohen drejt projekteve që nuk lidhen me nevojat prioritare të qytetarëve, siçi ishte investimi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West.
Gazetari përmendi edhe raste konkrete pacientësh që, sipas tij, nuk kanë marrë trajtimin e nevojshëm në institucionet publike shëndetësore, ndërsa ngriti shqetësime edhe për dëmtimin e mjedisit, duke akuzuar institucionet për ndërhyrje në lumenjtë e vendit. Në përfundim, ai theksoi se protesta, sipas tij, buron nga pakënaqësia qytetare dhe jo nga interesat politike.
“Para pak ditësh kam publikuar një listë ku QSUT kërkonte donacione, kurse paratë tuaja shkojnë për koncerte, për kopshtin Eden, për projekte që nuk i shohim. Pasi i publikova, prisja që këta të vinin mend. Çfarë bëjnë këta? Asgjë.
Shalsi, deputet i PS, tha se ato pajisje janë. Ai gënjeu. Nuk ka shkuar asnjë pajisje në QSUT, nuk ka asgjë të tillë për pacientët. Një skaner nuk punon prej vitesh. Pacientët sorollaten. Shkojnë në urgjencë në QSUT dhe përfundojnë te privati.
Onkologjiku është spitali më kriminal i mundshëm. Mungojnë medikamentet. Ilaçet e tjera janë dy muaj, dy muaj jo. A shërohet kanceri kështu?
Vetë i gjejnë mundësitë, marrin para nga buxheti i shtetit dhe ikin në spitale të huaja, apo marrin paratë e vjedhura nga shqiptarët. Pse nuk qëndrojnë te spitalet publike kur kanë halle? Duhet të bëhet ligji që ata të kurohen në spitalet publike dhe të shikoni ju, do të rregullohen spitalet apo jo. Nënat dhe motrat tona që vuajnë nga kanceri gjinekologjik vuajnë mungesën e pajisjeve. Nuk pret kanceri. Këta, kur nuk shërojnë dot nënat dhe gratë tona, a kanë shpirt që të na dalin neve para?
Njerëzit ngelin të paralizuar nga goditjet ishemike. Një qytetar nga Korça, 43 vjeç, qëndroi dy muaj në QSUT, nuk u trajtua. Po pret ndihmën e shqiptarëve, se ka ikur në Greqi, rrezikon të paralizohet, baba i 3 fëmijëve. Kur këta nuk trajtojnë sëmundjet, problematikat shëndetësore, për çfarë na duhet koncerti i Kanye ëest? Një temë tjetër, lumenjtë e Shqipërisë i kanë shkatërruar, kuçedrat kanë dalë maleve të Shqipërisë për t’i pirë ujin, për të shkaktuar krim mjedisor. Vetëm dje kam denoncuar çfarë ndodh në lumin Shkumbin.
Kam marrë mijëra SMS nga shqiptarë që tregojnë se çfarë ka ndodhur në lumenjtë e Shqipërisë. I kanë shkatërruar me HEC-e. I kanë ndryshuar rrjedhën. Këta janë politikanët, pushteti që ka vjedhur këtë komb. Kjo protestë është protesta juaj, e asnjë partie, e asnjë individi. Secili nga ju është kryetar, organizator! E për të kaluar te organizatorët realë, ata të cilët ju kanë bërë të vini këtu, e di cilët janë? Është korrupsioni. Ai ka pasuruar klasën qeveritare. Është shpopullimi. Është vrarë frika në Shqipëri se do të na heqin nga puna.
Por ky shesh është plot dhe është bashkë, nuk ka fuqi që t’ju heqë njeri nga puna. Ju jeni pjesë e historisë. Mos dëgjoni më se ju kanë mashtruar në 36 vite, dëgjoni zemrën, flamurin, dëgjoni Shqipërinë. Zoti ju bekoftë juve. Zoti bekoftë Shqipërinë, vendin më të bukur që kemi dhe flamurin më të bukur që kemi. Nuk do ta lëmë në duart e hajdutëve!”, tha gazetari Stafa.
Lini një Përgjigje