TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Korrik 2026, 21:43

Video/ Basti i rrezikshëm i Ramës me familjen Trump!

Shkruar nga Pamfleti
Video/ Basti i rrezikshëm i Ramës me familjen Trump!
Rama-Trump

Deutsche Welle i ka kushtuar një dokumentar Shqipërisë dhe projektit miliarda dollarësh të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, duke e vendosur në qendër të debatit protestën qytetare të njohur tashmë si "Revolucioni i flamingove".

Dokumentari ngre një pyetje që, shkon shumë përtej një investimi turistik: a po përdor Shqipëria bregdetin e saj si monedhë shkëmbimi për të fituar ndikim gjeopolitik dhe lidhje politike me administratën Trump?

Në hyrje të dokumentarit, DW e përshkruan rezistencën ndaj projektit në Zvërnec si një histori që flet për zhvillimin e pasurive të paluajtshme si instrument i gjeopolitikës, për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë shqiptare dhe për mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit.

Sipas dokumentarit, plani i Affinity Partners, fondi i investimeve i drejtuar nga Jared Kushner, parashikon transformimin e një zone të mbrojtur në jug të Shqipërisë në një resort luksoz me deri në 10 mijë dhoma hoteli, një projekt që qeveria shqiptare e konsideron si një mundësi për tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e profilit ndërkombëtar të vendit.

Megjithatë, DW thekson se kundërshtarët e projektit nuk e shohin atë si një investim të zakonshëm. Dokumentari argumenton se emri Kushner nuk përfaqëson vetëm kapital privat, por edhe një lidhje të drejtpërdrejtë me qendrën e pushtetit në Uashington.

"Emri Kushner nuk do të thotë vetëm para. Ai është i martuar me Ivanka Trump, vajzën e presidentit. Kjo do të thotë edhe akses i mundshëm në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo është një çështje e madhe për një vend të vogël si Shqipëria", thuhet në dokumentar.

DW rikujton se Jared Kushner ka qenë një nga figurat më me ndikim në rrethin e Donald Trump dhe aktualisht mban rolin informal të të dërguarit të posaçëm për paqen, duke u përfshirë në negociata për konfliktet në Gaza, Ukrainë dhe Iran. Dokumentari nënvizon se ai nuk është konfirmuar nga Senati amerikan për këtë rol, duke e cilësuar pozitën e tij si joformale.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet edhe aspektit mjedisor. Sipas autorëve, zhvillimi i projektit do të prekë një ekosistem të mbrojtur ku jetojnë flamingo, foka mesdhetare dhe breshka deti, duke e kthyer çështjen në një përplasje mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës.

Në dokumentar jepet edhe këndvështrimi i një eksperti amerikan, i cili argumenton se mënyra sesi interesat politike dhe ato të biznesit janë ndërthurur në familjen Trump është e pazakontë për standardet amerikane.

"Shkalla në të cilën interesat e biznesit dhe aktiviteti politik i familjes janë ndërthurur në administratën e dytë Trump është ndoshta unike në Shtetet e Bashkuara", shprehet ai, duke kujtuar se Jared Kushner nuk kishte eksperiencë në sektorin financiar kur krijoi fondin Affinity Partners, por megjithatë siguroi miliarda dollarë investime nga fondet sovrane të Arabisë Saudite dhe Katarit.

Sipas ekspertit, kjo ka ngritur pikëpyetje nëse investitorët e Lindjes së Mesme prisnin jo vetëm fitime ekonomike, por edhe përfitime nga ndikimi politik që Kushner mund të ushtronte.

Dokumentari ndalet edhe te pozicioni i kryeministrit Edi Rama. Sipas analizës së DW, për qeverinë shqiptare projekti përputhet me strategjinë për të forcuar lidhjet ekonomike dhe politike me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.

"Shqipëria shkëmben aksesin në tokën e saj – jo naftë apo produkte – me shpresën për të fituar para dhe akses në pushtetin politik", thuhet në një nga pasazhet kryesore të dokumentarit.

Në fund, DW e paraqet protestën kundër projektit si një debat që nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i një resorti luksoz, por si një përplasje mbi mënyrën se si vendet e vogla përdorin asetet e tyre strategjike dhe nëse mund të arrijnë ndonjëherë marrëveshje të barabarta me aktorë të fuqishëm ekonomikë dhe politikë. /Pamfleti

rama trump

Lini një Përgjigje