
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar sërish keqmenaxhimin e fondeve publike në Bashkinë e Sarandës, duke iu referuar raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Sipas Zhupës, auditimi i KLSH-së ka evidentuar një dëm ekonomik prej rreth 1 milion eurosh vetëm gjatë një viti, ndërsa ajo e cilësoi raportin si "aktakuzën më të mirë" ndaj mënyrës së administrimit të bashkisë.
Deputetja deklaroi se, sipas raportit të KLSH-së, rreth 630 mijë euro përbëjnë dëm ekonomik për shkak të mosveprimit të bashkisë, 226 mijë euro lidhen me shkelje në procedurat e prokurimit, 101 mijë euro me pagesa për punime të pakryera dhe 117 mijë euro me projekte artistike e kulturore që, sipas saj, nuk janë realizuar në përputhje me procedurat e prokurimit.
Zhupa akuzoi drejtuesit e bashkisë se po dëmtojnë interesin publik dhe paralajmëroi se opozita do të vijojë denoncimet dhe do t'i drejtohet organeve të drejtësisë.
"Raporti i fundit i KLSH-së është, në fakt, aktakuza më e mirë për Bashkinë e Sarandës.
Në vetëm 1 vit të audituar janë rreth 1 milion euro të abuzuara nga kjo bashki.
Qartësisht nuk kemi të bëjmë me një apo dy zyrtarë të paaftë, por kemi të bëjmë me një model qeverisjeje, me një model për të zhvatur paranë publike dhe për të keqqeverisur.
Të dhënat tregojnë që rreth 630 mijë euro janë dëm ekonomik për shkak të mosveprimit të bashkisë.
226 mijë euro është dëm ekonomik për shkelje në prokurime, 101 mijë euro janë dëm ekonomik për punime të paguara, por në fakt të pakryera, dhe 117 mijë euro janë dëm ekonomik për ahengje, për projekte artistike-kulturore, të cilat nuk janë bërë sipas prokurimeve.
Qartësisht kemi të bëjmë me një bashki që abuzon me taksat e qytetarëve, që i vjedh ato dhe nuk punon për interesin publik.
Ndaj dhe ne do ta denoncojmë çdo ditë, do të jemi në krah të qytetarëve për protestat e tyre dhe problematikat e tyre dhe do t’i garantojmë jo vetëm se do t’i çojmë dosjet para drejtësisë, por ne do ta marrim në dorë Bashkinë e Sarandës në zgjedhjet e ardhshme dhe ta vëmë atë në shërbim të qytetarëve", tha Zhupa në deklaratën e saj.
Lini një Përgjigje