Projekti luksoz i familjes Trump në zonat e mbrojtura ka nxitur protestat më të mëdha në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Tashmë, aktivistët vendas dhe shqiptarët e diasporës kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama dhe fundin e korrupsionit sistemik.
E shtunë, 30 maj. Në një nga plazhet më të bukura të jugperëndimit të Shqipërisë shpërthen kaosi. Protestues të revoltuar përplasen me policinë dhe forcat e sigurisë. Atmosfera tensionohet nga minuta në minutë. Në ajër fluturojnë gurë.
“Le ta çlirojmë Shqipërinë nga këta mafiozë, nga këta hajdutë që kanë ushtruar dhunë shtazarake ndaj qytetarëve të Shqipërisë!”, dëgjohet të thërrasin protestuesit. Një prej tyre tërhiqet zvarrë nëpër rërë nga forcat e rendit. Kryeministri Edi Rama do t'i dënojë më vonë ato skena, por që nga ai moment ai do të gjendet nën një presion gjithnjë e më të madh.
Prej më shumë se 40 ditësh, qytetarët kanë dalë në rrugë e sheshe. I ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove”, siç e quajnë vetë protestuesit, është në kulmin e tij. Ata akuzojnë qeverinë dhe kryeministrin Rama se po ua dorëzojnë vendin investitorëve të mëdhenj me çmime të favorshme.
Ajo që po ndodh në Shqipëri konsiderohet protesta më e madhe që nga rënia e komunizmit në vitin 1991. Edhe pse nisi si një protestë për mbrojtjen e mjedisit, ajo është shndërruar në një lëvizje të gjerë qytetare kundër qeverisë. Arilda Lleshi, politologe dhe aktiviste, është një nga organizatoret e protestave.
“Isha vetëm gjysmë ore në protestë dhe, kur u ktheva, pas meje kishte mijëra njerëz. Çdo ditë është një surprizë. Shihet qartë se ky është një revolucion popullor dhe edhe sot do të kemi një tubim masiv”, thotë ajo.
Gjithçka nisi me flamingot. Habitati i tyre, laguna e mbrojtur e Vjosë-Nartës, në jugperëndim të vendit, është në rrezik. Familja e presidentit amerikan Donald Trump synon të ndërtojë një kompleks turistik në këtë zonë, si edhe në ishullin përballë. Projekti parashikon një resort luksoz me marina jahtesh dhe struktura akomoduese.
Bëhet fjalë për ishullin e Sazanit, një ishull i dikurshëm ushtarak me sipërfaqe rreth 1.400 hektarë. “Ne notuam deri në ishull, ecëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Dhe ende jemi”, tha Ivanka Trump në një podcast.
Brenda natës në zonë mbërritën ekskavatorët dhe u vendosën gardhe. Sipas protestuesve, punimet pritet të nisin pas një procesi të zhvilluar pa transparencë, pa debat publik dhe pa një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis.
Banorët dhe aktivistët u mblodhën menjëherë pranë kantierit, duke kundërshtuar projektin.
Zemërimi i tyre drejtohet edhe ndaj kryeministrit Rama. Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga investimi prej 4.5 miliardë eurosh.
“S'ka asnjë shans që ky investim të ndalet për sa kohë unë jam këtu”, deklaroi ai.
Kjo çështje mund të ndikojë edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në Kapitullin 27 të negociatave, që lidhet me mjedisin, parashikohen standarde të qarta për mbrojtjen e natyrës. Për këtë arsye, Brukseli ka shprehur tashmë shqetësime zyrtare.
Ndërkohë, natyra e paprekur në bregdetin shqiptar po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Në shumë zona, peizazhi dominohet nga ndërtesa shumëkatëshe dhe komplekse të reja turistike që shtrihen deri buzë detit.
Turizmi po njeh një rritje të shpejtë. Vetëm vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan më shumë se 12 milionë turistë. Kjo ka sjellë zhvillim ekonomik, por edhe presion gjithnjë e më të madh mbi mjedisin dhe infrastrukturën.
Prej kohësh edhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës kanë ngritur shqetësime për projektin në lagunën e Nartës. Aktivisti i njohur i mjedisit Uli Eichelmann thotë se betonizimi i Shqipërisë ka marrë përmasa alarmante.
“Në Shqipëri po shpërthen diçka që ka qenë nën presion prej kohësh. Ajo që ka ndodhur gjatë pesë ose gjashtë viteve të fundit nuk e kam parë askund tjetër. Është një valë shkatërrimi në përmasa të çmendura. Tani duket se njerëzit po thonë: mjaft”, deklaroi aktivisti.
Arilda dhe protestuesit e tjerë akuzojnë qeverinë se i ka dhënë privilegje Jared Kushner-it përmes një procesi jotransparent. Sipas tyre, qeveria i ka dhënë atij statusin e “investitorit strategjik”, çka mundëson procedura të përshpejtuara miratimi për projektet e tij.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka nisur hetime për çështjen.
Për Arildën, përgjegjësia politike është e qartë. “Kjo është një revoltë kundër sundimit 13-vjeçar të kësaj qeverie. Kjo është një qeveri kriminale dhe oligarkike”, thotë ajo.
Forcat speciale të policisë i godasin protestuesit me autobotë uji. Por kjo nuk i zmbraps. Ata janë të vendosur të vazhdojnë protestat derisa projekti luksoz të ndalet dhe qeveria të japë dorëheqjen. Për momentin, megjithatë, nuk ka asnjë shenjë se kjo do të ndodhë.
Edi Rama, në pushtet prej 13 vitesh, vazhdon të paraqitet si një lider i suksesshëm. Ai synon ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ndërsa në vend dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë prej javësh, ai vazhdon aktivitetin e tij në arenën ndërkombëtare. Deri tani, kritikat e partnerëve evropianë ndaj qeverisë shqiptare kanë qenë të rezervuara.
Një tjetër çështje ka nxitur debat në vend. Libri “Albanian Files”, parathënien e të cilit e ka shkruar vetë kryeministri Rama, paraqet më shumë se 500 megaprojekte të planifikuara në Shqipëri, resorte luksoze, kulla dhe vila, si një katalog për investitorët ndërkombëtarë.
Gazetari investigativ Lorin Kadiu kritikon lidhjet e ngushta mes investitorëve, arkitektëve dhe qeverisë. “Është Rama ai që realizon ëndrrat e investitorëve, duke ua lehtësuar ndërtimin dhe financimin. Për këtë krijohen mekanizma që anashkalojnë procedurat administrative që duhet të zbatohen në një shtet demokratik. Është e dukshme se një pjesë e këtyre fondeve burojnë nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Ka një simbiozë mes qeverisë dhe elementëve kriminalë për realizimin e këtyre projekteve”, thotë ai.
Sipas Kadiut, përveç projektit të Kushner-it, ekzistojnë edhe 19 megaprojekte të tjera të planifikuara në zona të mbrojtura ose në territore ende të paprekura nga ndërtimet.
“Për t'i bërë të mundura këto projekte, qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura. Në deltë dhe në zona të tjera të mbrojtura shohim plane jashtëzakonisht shqetësuese: qindra hektarë me vila, pishina, fusha golfi dhe qytete të reja me mbi 50 mijë banorë”, shprehet ai.
Edhe diaspora shqiptare i është bashkuar “Revolucionit të Flamingove”. Mes protestuesve është edhe Eduard Kasa, i ardhur nga Dyseldorfi. Ai udhëtoi rreth 48 orë me makinë për të marrë pjesë në protestat në Tiranë. “Është ironi e fatit. Në vitin 1990 u largova nga Shqipëria. Atëherë protestoja kundër diktaturës”, thotë ai.
Për dekada me radhë, Shqipëria e drejtuar nga diktatori Enver Hoxha ishte një nga vendet më të izoluara në botë. Mijëra kundërshtarë të regjimit u internuan ose u ekzekutuan. Nga frika e një pushtimi të mundshëm, regjimi ndërtoi dhjetëra mijëra bunkerë, gjurmët e të cilëve shihen ende sot.
Kasa, i cili jeton prej 36 vitesh në Gjermani dhe punon si përkthyes, thotë se nuk dëshiron ta shohë Shqipërinë të rrëshqasë sërish drejt autoritarizmit. “Shqipëria është një vend ku sundojnë korrupsioni dhe oligarkia. Rama nuk është më në gjendje ta përfaqësojë Shqipërinë, as në vend dhe as në Bashkimin Evropian”, thotë ai.
Njerëzit vazhdojnë të rezistojnë. Çdo mbrëmje ata mblidhen para Kryeministrisë në Tiranë për të protestuar. Vendi duket politikisht më aktiv se në shumë vite të fundit. Ajo që nisi si një protestë mjedisore kundër një projekti të madh turistik, tashmë është shndërruar në një revoltë më të gjerë.
Protestuesit akuzojnë kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe keqqeverisje. Disa ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së tij janë përballur me procese gjyqësore, ndërsa hetimet penale vazhdojnë.
“Ka mijëra probleme. Nga shëndetësia te arsimi, gjithçka duket se po shkon keq në sistemin tonë. Jam këtu për një kauzë të madhe: kundër korrupsionit dhe kundër gjithçkaje që qeveria jonë po bën gabim”, thotë një prej protestuesve.
Megjithatë, lëvizja përballet me një problem të madh: mungesën e besimit te opozita politike. Edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, nuk gëzon mbështetje të plotë te protestuesit. Në shesh dëgjohen herë pas here thirrje në kor: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga vështirësitë kryesore të kësaj lëvizjeje: qytetarët janë të bashkuar kundër qeverisë aktuale, por nuk kanë një figurë të re politike rreth së cilës të bashkohen.
Kryeministri Rama, nga ana e tij, nuk e sheh situatën në këtë mënyrë. Ai i ka cilësuar kritikat si të papranueshme dhe i ka përshkruar protestat si pjesë të një “lufte hibride” kundër qeverisë së tij.
Protestat janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale dhe po ndiqen edhe jashtë Shqipërisë. Analistët vlerësojnë se përmasat e reagimit qytetar duket se e kanë surprizuar qeverinë.
Reagimet e Ramës në ditët e fundit janë bërë më të ashpra. Ai ka kritikuar gazetarë vendas, është përplasur me disa përfaqësues të mediave të huaja dhe ka përdorur një gjuhë më konfrontuese ndaj kundërshtarëve të tij.
Në një fjalim gjatë protestës, Eduard Kasa nga Dyseldorfi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe mori duartrokitje nga turma. “Besoj se kjo do të jetë Pranvera Shqiptare. Ky është fundi i një sistemi dhe fillimi i një epoke të re për Shqipërinë. Tani duhet ta marrë drejtimin një brez i ri politikanësh”, tha ai.
Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të largohet nga pushteti. Por, sipas kritikëve të tij, është e qartë se ai ndodhet nën presion. Reagimet e tij publike janë bërë më të forta dhe, sipas tyre, ai po largohet nga imazhi i një lideri liberal të majtë që ka ndërtuar ndër vite.
Presioni ndaj qeverisë është shtuar edhe nga zhvillime të tjera. Deputetja e re Mariana Koçeku është larguar nga Partia Socialiste. Ndërkohë, një dokument prej 180 faqesh i një agjencie antikorrupsion ngre dyshime se tokat në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i resortit luksoz të lidhur me Kushner-in, mund të jenë përfituar dhe shitur në mënyrë të paligjshme.
Në qendër të hetimeve ndodhet biznesmeni shqiptar me bazë në Miami, Artur Shehu, i cili kërkohet për dyshime mbi pastrim parash të lidhura me aktivitete kriminale. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësie dhe ka përfituar tokë në mënyrë të paligjshme.
Por për shumë protestues, kjo është vetëm një pjesë e një problemi më të madh. Ata thonë se beteja nuk është më vetëm kundër një projekti turistik në një zonë të mbrojtur. Ajo është kthyer në një përballje më të gjerë për mënyrën se si drejtohet vendi, për transparencën, mbrojtjen e natyrës dhe të ardhmen politike të Shqipërisë./ Përshtati "Pamfleti" nga "Weltspiegel"
Lini një Përgjigje