TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Korrik 2026, 15:14

Përshkallëzohet lufta/ Irani lëshon raketa balistike ndaj bazave amerikane, raportohen ushtarë të plagosur

Shkruar nga Pamfleti
Përshkallëzohet lufta/ Irani lëshon raketa balistike ndaj bazave
Foto ilustruese

Pasdaranët pretendojnë se kanë vrarë ushtarë amerikanë, kanë ndalur anije në Hormuz dhe kanë goditur objektiva ushtarake në Bahrein, Kuvajt, Jordani dhe Arabinë Saudite. Uashingtoni konfirmon sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen.

Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Teherani ka ndërmarrë një valë sulmesh me raketa balistike dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa Uashingtoni ka vijuar operacionet ajrore kundër objektivave ushtarake iraniane.

Sipas ushtrisë iraniane dhe Gardës Revolucionare Islamike (Pasdaranëve), sulmet kanë goditur bazën amerikane Sheikh Isa në Bahrein, ku pretendohet se janë dëmtuar një depo karburanti dhe zona ku stacionohen avionët luftarakë amerikanë. Teherani deklaroi gjithashtu se ka sulmuar bazën Camp Arifjan, si dhe bazat Ali Al-Salem dhe Al-Adiri në Kuvajt, ndërsa objektiv ishte edhe baza ajrore Al-Azraq në Jordani.

Pasdaranët pretenduan se nga sulmi me dronë ndaj bazës Camp Arifjan janë vrarë ushtarë amerikanë, por deri tani Pentagoni nuk ka konfirmuar këto pretendime.

Nga ana tjetër, CBS News, duke cituar burime amerikane, raportoi se disa ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë sulmeve iraniane ndaj bazave në Jordani. Numri i të plagosurve dhe gjendja e tyre nuk janë bërë publike.

Në Arabinë Saudite u aktivizuan sirenat e alarmit pasi autoritetet zbuluan lëshimin e një rakete balistike iraniane drejt zonës së bazës ajrore Prince Sultan, një nga objektet më të rëndësishme ushtarake amerikane në rajon. Më vonë autoritetet saudite njoftuan se alarmi kishte përfunduar, pa dhënë informacion për dëme apo viktima.

Ndërkohë, ushtria jordaneze bëri të ditur se ka rrëzuar dhjetë raketa balistike iraniane që po fluturonin drejt territorit të vendit.

Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka përfunduar natën e shtatë radhazi të sulmeve ndaj Iranit. Sipas ushtrisë amerikane, objektiv i bombardimeve ishin qendra vëzhgimi, infrastruktura logjistike ushtarake, depot nëntokësore të armëve dhe objektiva të lidhura me kapacitetet detare të Iranit. Në operacion u përdorën avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake.

Autoritetet iraniane raportuan se bombardimet amerikane në provincën Hormozgan kanë shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve.

Përplasja e fundit tregon zgjerimin e konfliktit përtej territorit të Iranit, me sulme që tashmë prekin disa shtete të Lindjes së Mesme ku ndodhen baza ushtarake amerikane. Ndërsa të dyja palët vazhdojnë operacionet ushtarake, rritet frika se konflikti mund të marrë përmasa edhe më të gjera rajonale.

sulme shba iran

Lini një Përgjigje