TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Korrik 2026, 20:14

Revolta qytetare nuk ndalet, protestuesit ripërsëritin kërkesat ndaj qeverisë

Shkruar nga Pamfleti
Revolta qytetare nuk ndalet, protestuesit ripërsëritin kërkesat
Vijon protesta

Një prej aktivisteve të protestës qytetare, e cila prej 49 ditësh zhvillohet para Kryeministrisë, ka rikujtuar kërkesat kryesore që, sipas saj, kanë bashkuar qytetarët në këtë lëvizje.

Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se protesta nuk ka vetëm një kërkesë, por një platformë të plotë ndryshimesh politike dhe institucionale, duke nisur me largimin e qeverisë aktuale.

Sipas aktivistes, pika e parë dhe e panegociueshme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë, e ndjekur nga krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të ketë si mision realizimin e reformave kushtetuese dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.

Ajo renditi gjithashtu si kërkesa kryesore ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për financimin e partive politike, si dhe vendosjen e kufizimit të mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Në fjalën e saj, aktivistja u ndal edhe te çështjet që lidhen me mjedisin dhe pronën, duke kërkuar shfuqizimin e ligjeve që, sipas protestuesve, kanë dëmtuar interesin publik.

"Kërkojmë anulimin e ligjeve për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, 'Paketën e Maleve' dhe investimet strategjike. Këto janë pikat që qytetarët i kanë parashtruar dhe për të cilat vijon protesta", u shpreh ajo.

Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 49-të, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

protesta

Lini një Përgjigje