Ka nisur për të 49-ën ditë radhazi mbledhja e protestuesve në sheshin "Skënderbej".
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila prej javësh ka mbushur sheshin "Skënderbej" dhe Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që protestuesit e konsiderojnë si "kastë politike", që sipas tyre e ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Një i moshuar u bëri thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi që t'i bashkohen protestës, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar.
“Hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu. Ejani në protestë. Si tha ajo ministrja serbe, foli për spastrim të shqiptarëve. Ndaj hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu, o sot o kurrë!”, u shpreh ai.
Një pensionist ngriti shqetësimin për nivelin e pensioneve dhe kërkoi vendosjen e minimumit jetik, duke thënë se shumë të moshuar nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet bazë.
“Protestoj që të vendoset minimumi jetik. Pensioni nuk na del as për ilaçe. Na ndihmojmë fëmijët tonë. Minimumin jetik nuk e donte as Berisha dhe as Rama. Por Avokati i Popullit duhet ta vendosë këtu në shesh me popullin”, u shpreh pensionisti.
Një tjetër protestuese, e moshuar, rrëfeu problemet që, sipas saj, ka hasur me drejtësinë dhe policinë, si edhe situatën e djalit të saj.
“Jam një e moshuar që kam probleme me drejtësinë, me policinë. Më kanë vjedhur shtëpinë, dikur ma morën dhe sot djalin e kam në burg”, u shpreh ajo.
Ajo tha se djali i saj ndodhet në burgun e Drenovës, në Korçë, ndërsa shprehu vështirësinë për ta ndjekur çështjen për shkak të moshës dhe gjendjes së saj shëndetësore.
“Ma kanë çuar në Drenovë të Korçës djalin. A mund ta ndjek unë pleqëri deri atje? Nuk tërhiqem dot zvarrë”, deklaroi e moshuara.
Lini një Përgjigje