TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Qershor 2024, 20:50

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, Kurti zbulon kushtet që vendosi për takimin trepalësh!

Shkruar nga Pamfleti

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, Kurti zbulon kushtet që vendosi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur pas dështimit të takimit trepalësh në Brukel.

Kurti tha se ky takim nuk u realizua pasi sipas tij, ka kërkuar vetëm tre garanci por nuk janë zbatuar. Kurti u shpreh se ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazike, dorëzimin e Radoiçiç dhe tërheqjen e letrës së Brnabiç.

Ai u shpreh se qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes Bazike, për të cilën është rënë dakord më 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar më tej nga aneksi i zbatimit, që është pjesë integrale nga 18 marsi i vitit 2023.

“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohje së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu.

Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes së marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garanci, për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive që kam theksuar.

E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti.

Ndërsa, Borrell pas takimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiçin, tha se Serbia nuk ishte e gatshme në mënyrë të plotë që të pranojë kushtet që kishte vendosur Kurti.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, përheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiçit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Borrell shtoi më tej se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti. Sipas asaj që tha Borrell, Vuçiç ishte i gatshëm të diskutonte dy kushtet e para të Kurtit, por jo atë të dorëzimit të Radoiçiç!

“Presidenti Vuçiç la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes, në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”, tha ai.

Më herët, edhe Vuçiç tha për mediat në Bruksel se gjatë raundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk ka pasur takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar, pyeteni atë, të më takojë dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç gjatë një deklarate për mediat.

Lini një Përgjigje