Deklarata kërcënuese e presidentit francez Emmanuel Macron se duhet të pezullohet vendimi për heqjen e vizave me Kosovën në fund të këtij viti, nëse nuk ka dialog me Serbinë, ka shkaktuar përplasje në BE.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ishte ndër të parët që i ka dalë kundër. Ajo ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë.
Von Cramon në postimin e bërë në Twitter ka shkruar se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave dhe se BE duhet ta mbajë premtimin, transmeton Telegrafi.
“Ne duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me Dialogun me Serbinë. Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin e saj duke lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm që nga 1 janari 2024”, thotë ajo.
Krah saj doli edhe eurodeputeti Lukas Mandl. Ai ka thënë se shtyrja e liberalizimit të vizave do të ishte gabim historik.
“Më vjen mirë që ndoqët nismën time Viola. Të njëjtën gjë e bëri Andrey Kovatchev, Andreas Schieder dhe Ilhan Kyuchyuk. U jam mirënjohës për këtë. Kjo është nismë ndërpartiake. Do të ishte gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter.
Presidenti francez ka paralajmëruar dje masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi” dhe penalizmi më i madh shkon për Kosovën.
Lini një Përgjigje