TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Qershor 2023, 15:44

Beogradi tërbohet nga veprimi i Albin Kurtit: Publikimi i emrave, listë pushkatimi

Shkruar nga Pamfleti

Beogradi tërbohet nga veprimi i Albin Kurtit: Publikimi i emrave,

Ditën e sotme nga Kuvendi i Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit.

Sipas tij, rolin kryesor në organizimin e protestuesve po e kryejnë anëtarë e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Për këtë ka reaguar edhe Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Ai është revoltuar me këtë veprim të Kurtit dhe tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit.

Petkoviç e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.

“Njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviç, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Në komunikatën e kësaj zyre thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve - pa u specifikuar se të kujt - dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”

Kurti tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

 

beogradi kurti

Lini një Përgjigje