
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të Kuvendit, Abdixhiku deklaroi se Kosova ka gjasa të humb aleatët dhe sovranitetin si pasojë e politikës së gabuar të kryeministrit Kurti. Ai tha se ndërkohë që Kosova sulmohet prej bandave, sipas tij Kurti po sulmon miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë.
Më tej, kreu i LDK theksoi se Kosova është sanksionuar dhe penalizuar nga ndërkombëtarët si asnjëherë më parë.
“Në një situatë të pamenduar më parë të paprecedent dhe të rrallë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej bandave, ndërsa kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar. Si rrjedhojë Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione dhe penalizmi ndërkombëtar në përmasa të papara ndonjëherë më parë.
Këto reagime të sekretarit Blinken, të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe shteteve më mike të Kosovës kundër shtetit tonë në një kauzë të drejt janë si pasojë e keq veprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, atij që sot e mban postin e kryeministrit të Kosovës. Jo vetëm pa aleatë, por edhe me aleatë kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin dhe as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët edhe sovranitetin. Këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot. Edhe pa aleatë edhe pa sovranitet”, tha kryetari i LDK.
Lini një Përgjigje