TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Maj 2026, 08:43

Ballkani në prag përplasjeje? SHBA armatos Kosovën, Serbia në alarm

Shkruar nga Pamfleti
Ballkani në prag përplasjeje? SHBA armatos Kosovën, Serbia
Një anëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ecën pranë një helikopteri të misionit paqeruajtës të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës po shndërrohet gradualisht në një ushtri moderne, me mbështetje nga aleatët perëndimorë dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit.

Ejup Maqedonci ka veshur tre uniforma gjatë 27 viteve të fundit: fillimisht si një rebel i ri që luftonte për pavarësinë e Kosovës, më pas si pjesëtar i një strukture të përkohshme humanitare dhe tani si ministër i Mbrojtjes që po formëson ushtrinë e vendit.

Të tre uniformat, secila e vendosur në kornizë të artë, qëndrojnë të varura në zyrën e tij në kompleksin e madh të ministrisë në Prishtinë. Ato pasqyrojnë kompleksitetin e ndërtimit të një force të armatosur në një vend me njohje të kufizuar ndërkombëtare, ku paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO vazhdojnë të jenë të pranishëm për të ruajtur stabilitetin.

Ushtria numëron vetëm disa mijëra trupa dhe ka siguruar sisteme armësh me vlerë modeste prej 460 milionë eurosh. Megjithatë, në një intervistë për Bloomberg News, Maqedonci i përshkroi këto si “hapa shumë, shumë të mëdhenj” drejt krijimit të një force “të gatshme për të mbrojtur Kosovën, për të mbrojtur qytetarët e saj dhe njëkohësisht për të bashkëpunuar me partnerët tanë”.

Duke folur për arritjen deri në këtë pikë, ministri 49-vjeçar shtoi se “ndonjëherë ëndërron për diçka pa besuar plotësisht se do të ndodhë.”

Kosova, vendi ku u zhvillua lufta e fundit në Evropë para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, dëshiron prestigjin e një ushtrie të vetën dhe ka ndarë 1 miliard dollarë për krijimin e saj. Ky ambicie përputhet me një prirje më të gjerë në Ballkanin Perëndimor për forcimin e kapaciteteve të sigurisë krahas aspiratave për integrim në Bashkimin Evropian.

Për shumicën, kjo konsiderohet pjesa e munguar e shtetësisë, por shumë pjesëtarë të komunitetit serb druhen se kjo mund të ndezë tensionet e mbetura, në kushtet kur Beogradi vazhdon të refuzojë sovranitetin e Kosovës.

Ushtria e re i ka rrënjët te strukturat e lehta të pasluftës, të cilat përfshinë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishin detyra të mbrojtjes civile, përfshirë çminimin dhe shuarjen e zjarreve.

Tetë vite më parë, ligjvënësit votuan për krijimin gradual të një force konvencionale gjatë një periudhe dhjetëvjeçare për vendin me 1.6 milion banorë, me mbështetjen e SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Ballkani në prag përplasjeje? SHBA armatos Kosovën, Serbia

Maqedonci synon të rekrutojë 5,000 ushtarë aktivë dhe tha se ushtria ka tre herë më shumë pushkë sesa personel, si pjesë e një plani më të gjerë për krijimin e një sistemi rezervistësh vullnetarë.

“Ideja nuk është të vendosim shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sepse kjo do të sillte gjithashtu probleme financiare dhe të tjera,” tha ai, duke shtuar se “çdo qytetar do të ketë mundësinë të bëhet pjesë vullnetarisht e mbrojtjes sonë.”

Ai shtoi se oficerët e tij janë trajnuar ose nga SHBA-ja ose nga NATO.

Rreth gjysma e vendeve të botës e kanë njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Aleatët kryesorë të Serbisë, Rusia dhe Kina, nuk e kanë njohur, ashtu si edhe pesë vende të Bashkimit Evropian (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja) disa prej të cilave shqetësohen për lëvizjet separatiste brenda vendeve të tyre.

Kryeministri Albin Kurti ka shtyrë përpara përpjekjet për njohje universale që nga rikthimi në pushtet në vitin 2021. Megjithatë, përparim domethënës drejt këtij objektivi do të kërkonte rishikimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcaktoi kuadrin pasluftës për Kosovën dhe autorizoi misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, diçka që duket e pamundur pa një marrëveshje më të gjerë Kosovë-Serbi të pranuar nga fuqitë e mëdha, për shkak të kundërshtimeve në Këshillin e Sigurimit.

“Përpjekjet për ta shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe për t’iu bashkuar aleancave ushtarake janë veçanërisht problematike,” deklaroi për mediat lokale shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsilovic. Sipas tij, “ne e shohim KFOR-in si të vetmin formacion legjitim të armatosur.”

Ushtria serbe konsiderohet një nga më të fuqishmet në rajon, me rreth 20,000 deri në 30,000 trupa aktive. Ashtu si Kroacia, ajo po blen helikopterë dhe armë moderne dhe planifikon të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Kosova po i anashkalon kundërshtimet dhe kufizimet ligjore duke nënshkruar marrëveshje ushtarake dypalëshe me vende anëtare të NATO-s, kryesisht me SHBA-në dhe Turqinë. Kjo ka shkurtuar edhe kohën e prokurimeve ushtarake, tha Maqedonci. Ai theksoi se Prishtina shpenzon pak më shumë se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, më shumë se fqinjët e saj anëtarë të NATO-s.

Sipas ministrit, vendi disponon tre lloje dronësh, dy lloje UAV-sh dhe katër lloje raketash dhe misilesh antitank, ndërsa po planifikon të sigurojë kapacitete të mbrojtjes ajrore, artileri 155 mm dhe helikopterë.

Ballkani në prag përplasjeje? SHBA armatos Kosovën, Serbia

Maqedonci tha se po vlerëson se sa helikopterë Black Hawk nevojiten, megjithëse diskutimet fillestare janë përqendruar te katër të tillë.

Ata ofrojnë kapacitete shumëfunksionale”, shpjegoi ai. , ndërsa shtoi “mund t’i përdorim për transport personash, evakuim pacientësh, mbështetje me zjarr dhe gjithashtu për operacione kundër zjarreve, sepse kemi shumë zjarre pyjore gjatë verës.”

Përgatitjet për prodhimin e municioneve sipas standardeve të NATO-s, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes, janë në zhvillim e sipër. Punimet për një kompleks të ardhshëm industrial pritet të nisin në dhjetor.

“Do të prodhojmë dy lloje: municion 5.56 milimetra që përdorim për pushkët individuale dhe municion 7.62 milimetra që përdorim për mitralozët,” tha ministri.

Plani nuk është që ushtria e Kosovës të zëvendësojë KFOR-in, por ajo duhet të jetë e gatshme në rast se NATO vendos të zvogëlojë misionin paqeruajtës prej 5,000 trupash ose t’i transferojë disa detyra monitorimi dhe raportimi, shtoi Maqedonci.

Një vlerësim periodik është duke u zhvilluar dhe, megjithëse misioni nuk do të përfundojë, ai mund të reduktohet, tha një person i njohur me çështjen në kushte anonimiteti.

KFOR operon kryesisht në veriun e banuar nga serbët, ku ndër vite kanë ndodhur shpërthime të dhunshme. Numri i trupave është reduktuar tashmë me rreth 90% që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e cila largoi forcat serbe nga territori, ndërsa fokusi i misionit është zhvendosur nga menaxhimi i konfliktit pasluftës. 

Sipas Marko Prelec, analist i lartë këshillues për Ballkanin në International Crisis Group, fokusi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje afatgjatë ku Serbia do të pranonte pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kosova do të pranonte që minoriteti serb në veri të ketë më shumë të drejta për të vetëqeverisur çështjet e veta.

Përndryshe, tha ai, forcimi ushtarak i Kosovës “po vendos qerren para kalit”.

Maqedonci ishte 19 vjeç dhe jetonte në Horn të Zvicrës, si emigrant që punonte për të mbështetur familjen, kur vendosi t’u bashkohej shqiptarëve të Kosovës që luftonin në UÇK.

Ballkani në prag përplasjeje? SHBA armatos Kosovën, Serbia

Pas luftës njëvjeçare, e cila la më shumë se 12,000 të vdekur dhe detyroi qindra mijëra të tjerë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ai u ngrit në hierarkinë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilat më vonë u shndërruan në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai ndoqi Kolegjin Komandues dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane dhe studioi në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane përpara se të bëhej ministër i Mbrojtjes në gusht 2023.

Tani, sfida e tij më e madhe është të bindë aleatët skeptikë se forcat e tij nuk janë më rebelë dhe se ushtria e Kosovës kontribuon në sigurinë rajonale.

Ai u ankua se paqeruajtësit e KFOR-it informohen sikur po shkojnë në një vend në luftë, edhe pse misioni i sotëm nuk është i njëjtë me atë të periudhës menjëherë pas luftës.

“Është një situatë tjetër, një brez tjetër” tha Maqedonci. /Përshtatur nga Bloomberg/

armatosja kosova ballkan

Lini një Përgjigje