Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti për ndarjen e 100 eurove për disa kategori qytetarësh në Kosovë.
Në reagimin e tij, Abdixhiku e konsideroi këtë masë si të motivuar politikisht, duke pretenduar se synon ndikim elektoral në prag të zhvillimeve politike në vend.
Sipas tij, vendime të tilla nuk zgjidhin problemet reale të qytetarëve, por përdoren si mjete për ruajtjen e pushtetit.
“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit”, shkruan ai.
Abdixhiku theksoi se Kosova ka nevojë për një qasje tjetër qeverisëse, ku mbështetja për qytetarët, rritja e mirëqenies dhe zhvillimi ekonomik të mos trajtohen si masa të përkohshme elektorale, por si politika të qëndrueshme shtetërore.
Ai kritikoi gjithashtu gjendjen socio-ekonomike në vend, duke deklaruar se qytetarët nuk duhet të përdoren për përfitime politike dhe se vendi ka nevojë për “një kapitull të ri” në qeverisje, të fokusuar te pagat dinjitoze, investimet dhe zhvillimi afatgjatë.
“Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës”, shton ai.
Lini një Përgjigje