TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Maj 2026, 08:42

Nis sot procesi i votimit të diasporës, mbi 100 mijë qytetarë votojnë me postë

Shkruar nga Pamfleti

Nis sot procesi i votimit të diasporës, mbi 100 mijë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nisin sot procesin e votimit përmes postës, pasi mbi 105 mijë persona janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar përgatitjet për shpërndarjen e fletëvotimeve, ndërsa pjesa më e madhe e votuesve të diasporës ndodhen në vendet evropiane.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se janë përgatitur rreth 75 mijë pako me materialet zgjedhore, të cilat kanë nisur të shpërndahen nga 21 maji. Ndërkohë, afro 30 mijë pako të tjera do të transportohen jashtë Kosovës gjatë ditëve në vijim.

Çdo pako përmban fletëvotimin, udhëzimet për votim, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes. Sipas KQZ-së, secila dërgesë është pajisur edhe me kod gjurmimi, për t’u mundësuar votuesve të ndjekin në kohë reale vendndodhjen e pakos së tyre.

Afati për votimin me postë do të jetë i hapur deri më 6 qershor. Autoritetet zgjedhore u kanë bërë thirrje votuesve që të mos vonojnë kthimin e fletëvotimeve, në mënyrë që ato të mbërrijnë në kohë për procesin e numërimit në Kosovë.

Procesi i votimit të diasporës zhvillohet në 22 shtete të botës, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, SHBA-në, Italinë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Lini një Përgjigje