TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Shtator 2024, 22:02

Zgjedhjet ndezin PD-PS, “luftë” për të siguruar një vend në listat e kandidatëve; konflikt i ri Bardhi-Berisha në horizont!

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet ndezin PD-PS, “luftë” për të siguruar

Ajo që e ka shtuar më shumë ankthin në radhët e deputetëve është skema e re e sistemit zgjedhor. Në KQZ do shkojnë dy lista, një me deputetë të sigurt dhe një me listë të hapur...

Politika nisi sot sesionin e ri parlamentar, por të gjithë i kanë sytë te pranvera e vitit 2025. Në prill apo në maj do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe shumë deputetë mund të mos jenë më në karrigen që u jep 3 mln lekë çdo muaj. Për këtë arsye duket se është ndezur gara brenda partive.

Edi Rama ja u dha sinjalin që në Kongres socialistëve se shumë deputetë do të mbeten jashtë dhe paralajmërimi u forcua sot në mbledhje grupi. Niko Peleshi ja u bëri të qartë se tani duhet të dalin në terren dhe të mbledhin sa më shumë vota. Kush nuk ka mbështetje në bazë do të duhet të largohet. Prioritet i Balokut do të jetë të kapë 84 mandate dhe me shumë mundësi do të shohim sërish biznesmenë dhe njerëz të lidhur me krimin që të kandidohen.

Ajo që e ka shtuar më shumë ankthin në radhët e deputetëve është skema e re e sistemit zgjedhor. Në KQZ do shkojnë dy lista, një me deputetë të sigurt dhe një me listë të hapur ku secili emër do luftojë fort. Të gjithë po mendojnë se si të sigurojnë një vend te lista e parë. Ndërkohë shumë të tjerë mësohet se kanë bërë gati dorëheqjet.

Vullnet Sina ishte ai që e lajmëroi i pari pas skandalit që i shpërtheu, por mësohet se të njëjtën gjë do bëjnë shumë të tjerë në javët në vijim, ku do dalin me statuse në rrjetet sociale që do thonë se u lënë vendin të rinjve. Ndërkohë shumë të tjera janë vënë në lëvizje, kanë zbritur në terren dhe kanë mbushur Facebook me postime, duke e ditur se Rama i ka pikë të dobët statuset në rrjetet sociale.

Por duket se një garë e ethshme ka nisur dhe në PD. Sot Jorida Tabaku u bashkua me grupin e Berishës, teksa duket se kemi sërish dy klane në PD. Kemi një grup që janë besnikë të doktorit dhe përditë bëjnë statuse në rrjetet sociale për të, një lëvizje kjo për të siguruar një tjetër kandidim. Kemi dhe grupin e Bardhit, që duket se lëviz i pasigurtë. Ata e dinë se listat e kandidatëve në fund i bën Berisha dhe ai e vendos kush garon dhe kush jo. Për këtë arsye duket se ka plasur konflikti. Gazmet Bardhi sot foli në Kuvend, dhe nuk e përmendi Berishën. Kjo i irritoi besnikët e doktorit.

Një gazetar dhe një media pranë familjes Berisha e sulmuan fort. Po ashtu, një reagim pati dhe nga avokati Genc Gjokutaj, i cili duket se thumboi në distancë. Edhe në mbledhje grupi sot ka pasur një ndarje, pasi ka një grup që kërkojnë të fokusohen te lirimi i Berishës dhe një grup tjetër te axhenda politike. Pra duket sikur Bardhi po shfrytëzon izolimin e Berishës për të marrë kredo politike dhe për të siguruar mbështetje në PD. Nuk e dimë nëse ai po lakmon drejtimin e partisë duke parë hallin e Saliut, por sinjalet janë se një konflikt i ri është në horizont dhe me afrimin e zgjedhjeve situata do ndizet. Të gjithë duan një vend në lista dhe me gjasë kjo do i vërë edhe një herë flakën fitilit. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje