TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Shkurt 2025, 13:59

Zgjedhjet e 11 majit, PD takim me shqiptarët në Greqi: Një duzinë ministrash kanë pushtuar Athinën, mos u manipuloni nga Rama

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet e 11 majit, PD takim me shqiptarët në Greqi: Një
Gazment Bardhi


Teksa zgjedhjet e 11 majit afrojnë, deputetë të Partisë Demokratike kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me shqiptarët në Greqi.

Në takim ka marrë pjesë Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe Elda Hoti.

“Ne vijmë këtu për të biseduar me ju, për të qarë hallet tuaja dhe familjarëve tuaja dhe nuk vijmë këtu për të përdorur emigrantët si dekor politik për imazhin e rrënuar dhe të shkatërruar të Edi Ramës. Ne vijmë këtu sepse duam të gjithë së bashku që Shqipëria të dalë mirë. Ne duam që shqiptarët të jenë mirë, që familjarët tuaj në atdhe të kenë mundësi dhe prosperitet më të madh. Ne duam që çdo njeri në Shqipërinë e pas 11 Majit të bëjë detyrat që i takon dhe shteti mbi të gjitha të jetë shërbëtor i qytetarëve, interesave dhe problematikave që i shoqërojnë. Duam që ju të punoni për veten tuaj dhe jo të harxhoni gjysmën e të ardhurave tuaja për të mbajtur të afërmit tuaj në Shqipëri, barrë dhe detyrë që e ka qeveria dhe pushteti. Ne e dimë shumë mirë, që ju emigrantët tanë këtu në Greqi, Itali dhe mbarë botën luftoni varfërinë më shumë se çdokush tjetër në vendin tonë”, tha Noka.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi foli për kërcënimet që shqiptarët e diasporës po marrin lidhur me votën. Bardhi u tha shqiptarëve të Greqisë së çdokush që kërcënon se do u heqin familjarët nga puna nëse nuk i votojnë, do të përballen me drejtësinë.

“Të jem i sinqertë jam në dijeni të vështirësive dhe presioneve që edhe ju në emigrim po përballeni gjatë këtyre ditëve. Nuk mund të rri pa e ndarë me ju këtë sepse kam bindjen që jeni dëshmitarë të gjallë të kësaj gjëje. Jam në dijeni, por ju siguroj për një gjë. Secili prej tyre që guxon të kërcënojë familjarët tuaj nga Shqipëria se do t’i heqin nga puna në këmbim të detyrimit të votës së secilit prej jush do të përballet me drejtësinë dhe do të shkojë në burg. Një duzinë ministrash, drejtorësh, kryetarësh bashkish, ju jeni dëshmitarë, kanë pushtuar edhe gjatë këtyre orëve Athinën, Greqinë dhe të gjitha qytetet kryesore ku janë përqendruar shqiptarë duke tentuar t’u bëjnë presion bashkatdhetarëve që janë në emigrim përmes të afërmve që vazhdojnë të jetojnë mes vështirëve në Shqipëri. Por unë kam bindjen që ata kanë gjetur dhe do vijojnë të gjejnë një mur përpara dhe do të çajnë vetëm kokën e tyre sepse bashkatdhetarët që jetojnë në mbarë botën, jo vetëm nuk mund të intimidohen, por do shërbejnë edhe si një nxitje që asnjë prej qytetarëve shqiptarë që vazhdon të jetojë në Shqipëri, të mos intimidohet, të guxojë dhe t’i japë atë që meriton Edi Ramës, patronazhistëve të tij dhe zyrtarëve publikë të korruptuar”, tha Bardhi.

Deputetja demokrate Elda Hoti u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë, për të luftuar Edi Ramën dhe korrupsionin.

“Ja vlen te luftosh kundra një kryeministri qe është i zhytur në luks, ndërkohë që pensionistët zgjedhin mes bukës dhe ilaçeve! Ja vlen të ngrihesh dhe t’i shporrësh njëherë e përgjithmonë këta banditë që po plaçkisin Shqipërinë tonë! Ja vlen të luftosh për ta rrëzuar një sistem të kalbur nga korrupsioni! Ja vlen të luftosh për një Shqipëri ku qytetarët jetojnë me dinjitet, jo në varfëri! Ne jemi shumica! Ata janë pakicë!”, tha Hoti.

Lini një Përgjigje