TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2024, 12:50

Zgjedhjet britanike, konservatorët i pret një humbje shkatërruese, çfarë pritet të sjellin laburistët

Shkruar nga Paolo Rossetti
Zgjedhjet britanike, konservatorët i pret një humbje
Keir Starmer /

Sukses i jashtëzakonshëm i laburistëve, disfatë historike e konservatorëve, dhe rritje e partive të tjera, megjithatë pa qenë vendimtare. Ky mund të jetë skenari politik pas zgjedhjeve që mbahen sot në Britaninë e Madhe. Sondazhet nuk i japin asnjë shpresë partisë së kryeministrit në largim Rishi Sunak, i cili parashikohet të marrën vetëm gjysmën e mbështetjes së kundërshtarëve të tij tradicionalë.

Claudio Martinelli, profesor i së drejtës publike krahasuese dhe i të drejtës parlamentare në Universitetin e Milanos, dhe ekspert i sistemit ligjor britanik, thotë se sa i përket vendeve në parlament, duke pasur parasysh tiparet e sistemit zgjedhor anglez, hendeku mund të jetë edhe më i madh.

Konservatorët po paguajnë kostot e përçarjeve të brendshme, efektet negative të Brexit por edhe skandalin e basteve që shoqëroi fushatën zgjedhore. Nga ana tjetër, Keir Starmer, kryeministri i ri i mundshëm i vendit, ka të gjitha gjërat në favorin e tij dhe propozon një program që synon të reduktojë pabarazitë në vend.

Profesor, sipas sondazheve, as fushata elektorale nuk e ndihmoi Sunak të rikuperonte të paktën një pjesë të disavantazhit ndaj laburistëve. A do të shohim një humbje të konservatorëve?

Fushata elektorale ishte shumë modeste. Do të jetë interesante të shohim përmasat e fitores së laburistëve, pra sa e madhe do të jetë shumica e tyre. Humbja e konservatorëve pritet të jenë e përmasave historike.

Sondazhet e fundit flasin për 40 për qind të votave për Starmer, dhe vetëm 20 për qind për Sunak...

Përqindjet nuk na tregojnë gjithçka. Sa i përket vendeve në parlament, hendeku do të jetë më i madh. Ndoshta konservatorët do të kenë shumë më pak se gjysmën e vendeve të laburistëve.

A do të shpërblejë së tepërmi laburistët sistemi zgjedhor? Si funksionon ai?

Territori është i ndarë në 650 zona elektorale. Sistemi është me një raund. Secila parti paraqet vetëm një kandidat në një zonë, dhe cilido që merr qoftë edhe një votë më shumë fiton dhe hyn në Dhomën e Komunëve. Nëse laburistët marrin të paktën shumicën absolute, 326 vende, dhe gjithçka sugjeron se do të kenë shumë më tepër, të premten në mëngjes mbreti do të thërrasë Starmer në Pallatin Buckingham për ta emëruar si kryeministër.

Pse konservatorët rrezikojnë të pësojnë një disfatë kaq të madhe?

Ata po paguajnë kostot e një legjislaturë plot përçarje dhe paqartësi të brendshme, gjatë të cilit janë ndryshuar 3 kryeministra. Pastaj janë efektet negative të Brexit-it, teksa ato pozitive nuk janë ende të dukshme. Do ndëshkohen për një planifikim të dobët për të ardhmen. Për më tepër, gjatë fushatës elektorale ata ishin në qendër të skandalit të basteve.

Personalitete të njohura, veçanërisht konservatorë, përdorën disa sinjale mbi shpërndarjen e afërt të parlamentit për të vënë bast mbi këtë çështje. Ky skandal ishte një goditje e mëtejshme. Në të u përfshi të paktën një deputet laburist, por skandali dëmtoi kryesisht konservatorët.

Cili është kundërshtimi kryesor që votuesit kanë ndaj konservatorëve? A janë përkeqësuar kushtet ekonomike dhe sociale?

Ata akuzohen se nuk kanë mundur të zbatojnë politika të qarta, të paqarta dhe efektive, sidomos për çështjet materiale. Megjithatë, unë do të thosha se arsyeja më e rëndësishme për humbjen e tyre, është se ka marrë fund një cikël politik:kanë qenë në pushtet prej 14 vjetësh, dhe sisteme të tilla lulëzojnë vetëm falë alternimit të pushtetit.

Për sa kohë që Jeremy Corbyn ishte në krye të Partisë Laburiste, një personalitet i rëndësishëm, por i ekstremit të majtë, partia nuk ishte shumë e pëlqyeshme. Ajo përfaqësohej nga krahu më pak tërheqës për elektoratin e lëvizshëm, pra që është i gatshëm të kalojë nga konservatorët tek laburistët dhe anasjelltas. Lideri i saj i ri, Keir Starmer, i dha laburistëve një identitet në një kohë kur konservatorët po e humbnin të tyren.

A është negativ bilanci final për Sunak?

Muajt ​​e fundit Sunak ia ka doli të ulë shkallën e inflacionit. Por ky lajm ka kaluar pa u vënë re, dhe nuk është kthyer në qendër të fushatës elektorale. Në vend të tij kanë dominuar elementë të natyrës sistematike . Cikli i konservatorëve është mbyllur për shkak të gabimeve të tyre, ndërsa Partia Laburiste e ka rifituar besueshmërinë e shumicës së britanikëve.

Pra, problemi për partinë e Sunakut nuk është dhe aq disfata, e cila duket e sigurt, por nevoja për të gjetur sërish rrugën e humbur?

Do të presim dhe shohim nëse Partia Konservatore do të jetë në gjendje ta rigjenerojë veten, të rimendojë identitetin e saj, dhe të identifikojë një program me idenë e saj mbi Mbretërinë e Bashkuar në kontrast me atë të kundërshtarëve të tyre. Bbesoj se konservatorët do të përjetojnë një proces reformimi të bujshëm, me konflikte të brendshme të forta, që nuk janë parë kurrë vitet e fundit.

A ka ndonjë shans që konservatorët të lihen pas nga ndonjë parti tjetër, për shembull ajo e Nigel Farage?

Nga pikëpamja teorike gjithçka është e mundur. Por mendoj se në fund kjo gjë nuk do të ndodhë. Karakteristikat e sistemit zgjedhor, i shpërblejnë shumë partitë me rrënjë të thella tek komunitetet lokale. Ka ndodhur shpesh, madje edhe me partitë e drejtuara nga vetë Farage, që kanë zhvilluar fushata zgjedhore shumë të mira, por në fund kanë marrë shumë pak mandate.

Në vitin 2014, partia e tij e atëhershme, UKIP, i fitoi zgjedhjet evropiane me një përfaqësim proporcional. Por një vit më pas, mori vetëm gjysmën e votave, dhe për shkak të sistemit zgjedhor dominoi vetëm në një zonë zgjedhore. Do të shohim se sa deputetë do të arrijnë të fitojnë Liberal Demokratët, të cilët pritet të jenë në rritje. Madje disa sondazhe i renditin  përpara konservatorëve.

Ndërkohë, çfarë lloj Britanie ka në mendje Starmer?

Thelbi i manifestit të laburistëve, është ngushtimi i pabarazisë në dy këndvështrime:në atë individual, sepse brenda Britanisë ka segmente të popullatës në vështirësi ekonomike të madhe që duhen ndihmuar, dhe territorial, për të cilin duhet një bashkëpunim midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale për të ribalancuar standardin e jetesës ndërmjet rajoneve të ndryshme, madje edhe brenda vetë Britanisë së Madhe. Pra thelbi i programi të të majtëve është: zhvillimi ekonomik të përkthehet në terma të ngushtimit të pabarazisë midis individëve dhe zonave territoriale./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

keir starmer konservatorë laburistët zgjedhjet britanike

Lini një Përgjigje