
Zbardhen ndryshimet statutore që do të miratohen sot në Këshillin Kombëtar të PD. Pak më parë nis mbledhja e thirrur nga Basha dhe bie në sy se më këto ndryshime, do të ketë spastrime në radhët e organeve të PD. Këshilli Kombëtar dhe Kryesia do të ndryshojnë përbërjen e tyre.
Në këshill nuk do të jenë më ish-kryeministrat, ish-presidentët apo ish-kryetarët e Kuvendit. Ndërkohë në Kryesi janë futur edhe kryetarët e organizatave partnere. Basha ka forcuar rolin e nënkryetarëve. Ata do zgjidhen nga Këshilli Kombëtar dhe një prej tyre merr kreun e PD nëse ajo mbetet pa kryetar.
Po ashtu është vendosur që vetë kryetari do të jetë dhe kryetar grupi, ndërkohë që mund të komandojë aty një nënkryetar.
NENI 43
KËSHILLI KOMBËTAR
1) Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit
Kombëtar, drejton veprimtarinë politike të Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve.
2) Këshilli Kombëtar përbëhet nga anëtarë të zgjedhur, dhe anëtarë për shkak të funksionit.
3) Numri i anëtarëve të zgjedhur për çdo Qark dhe proçedura për propozimin e tyre, përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
4) Janë anëtarë të Këshillit Kombëtar për shkak të funksionit:
a) Kryetari i Partisë;
b) Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati;
c) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
d) Drejtuesit Politik të Qarqeve;
ç) Deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë;
e) Kryetarët e Degëve të PDSH-së;
f) Kryetarët e Bashkive dhe Kryetarët/Nënkryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike të Shqipërisë;
5) Këshilli Kombëtar drejtohet nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, dhe në mungesë të tij, nga Kryetari i Partisë ose nga një prej Nënkryetarëve të Partisë sipas autorizimit të këtij të fundit.
6) Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se dy herë në vit. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.
Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.
7) Këshilli Kombëtar, përveç sa parashikuar në këtë Statut, ushtron këto përgjegjësi apo të drejta:
a) zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Anëtarët e Sekretariatit; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së Partisë; Kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit si dhe Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit mund të shkarkohen me propozim të Kryesisë së Partisë dhe miratimin e 2/3 të të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
b) miraton listën e kandidaturave elektorale sipas vendimit të Kryesisë së Partisë;
c) miraton koalicionet para apo pas zgjedhore;
ç) miraton strategjitë dhe programin elektoral e politik të Partisë ndërmjet dy Kuvendeve;
d) miraton aktet më të rëndësishme nënstatutore për mbarëvajtjen e punës në Parti, sipas vlerësimit dhe propozimit të Kryesisë apo Kryetarit të Partisë.
8) Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar, e kanë Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Jo më pak se 15 për qind e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që jo më vonë se 24 orë përpara mbledhjes së tij, të propozojnë kandidatë alternativë për çdo funksion politik që zgjidhet nga ky organ. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.
NENI 44
KRYESIA E PDSH-SË
1) Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar. Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij Statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike.
2) Kryesia e PDSH-së, drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe ka në përbërje edhe:
a) Sekretarin e Përgjithshëm dhe Sekretariatin;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Kryetarët e organizatave partnere;
ç. Kryetarin e Bordit Financiar dhe Komisionit Zgjedhor;
d) 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante. Jo më pak se 30 për qind e anëtarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;
dh. Zëdhënësin e Partisë, si dhe Sekretarin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i Partisë.
3) Kryesia e Partisë ka këto përgjegjësi dhe të drejta:
a) merr çdo vendim të nevojshëm për organizimin ekzekutiv dhe politik të partisë e që nuk është kompetencë e organeve të tjera të partisë;
b) emëron Drejtuesit Politik të Qarqeve sipas propozimit të Kryetarit të Partisë;
c) harton listën e Kandidatëve për deputetë, dhe ia paraqet për miratim Këshillit Kombëtar;
ç) vendos rregullat për ndarjen e degës në njësi dhe përcaktimit të hartës territoriale të çdo Njësie;
d) miraton kandidatët për Kryetarë të Degëve;
dh) miraton strukturën organike dhe strukturën e pagave të Partisë;
e) miraton kandidatët për Kryetarë Bashkie;
ë) në rastin e konstatimit të vakancës në pozicionin e Kryetarit të Partisë, emëron një nga Nënkryetarët për ushtrimin e funksioneve të Kryetarit;
f) miraton raportin financiar të Partisë;
g) cakton datën e zgjedhjeve për Kryetarin e Partisë, jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit të vakancës;
h) të drejta të tjera të përcaktuara në këtë statut.
4) Të drejtën për të kërkuar thirrjen e mbledhjes dhe për të propozuar vendime Kryesisë së Partisë, e kanë Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, ose 1/5 e anëtarëve të Kryesisë. Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi.
NENI 46
NËNKRYETARI I PARTISË
1) Nënkryetarët e Partisë zgjidhen nga Këshilli Kombëtar dhe ushtrojnë detyrat e ngarkuara nga Kryetari i Partisë, si dhe ndihmojnë këtë të fundit në përmbushjen e detyrave që i ngarkohen nga Statuti.
2) Në rast të vakancës së Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë cakton me vendim një nga Nënkryetarët si ushtrues të detyrës së Kryetarit të Partisë. Vendimi i Kryesisë duhet të miratohet brenda 3 muajsh nga Këshilli Kombëtar. Këshilli Kombëtar mund të caktojë një Nënkryetar të ndryshëm nga Kryesia për ushtrimin e funksionit të Kryetarit.
Lini një Përgjigje